Paradoksi, Kukësi rekord për ndeshjet pa pësuar gol. Blutë dhe Tirana ndëshkohen më shumë se të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2023 | 14:07

Paradoksi, Kukësi rekord për ndeshjet pa pësuar gol. Blutë dhe Tirana ndëshkohen më shumë se të gjithë

Kukësi mund të cilësohet si ekipi i paradokseve këtë sezon. Themi kështu, pasi bëhet fjalë për skuadrën që në 16 javë ka pësuar më shumë nga të gjithë, së bashku me Tiranën me nga 23 gola. Një mesatare prej më shumë se 1.4 rrjetash për ndeshje, e cila nuk është pak, duke qenë se nuk kemi shkuar ende në gjysmën e kampionatit.

KUKESI

Mirëpo, nëse deri këtu mund të jetë e pritshme, duke marrë parasysh faktin se është një skuadër që synim ka mbijetesën, verilindorët kanë edhe anën tjetër të medaljes dhe një fakt që mund t’i bëjë për momentin krenarë: janë kampionë të numrit të ndeshjeve që nuk pësojnë gol. Në këtë listë zhgënjen sigurisht Tirana, ndërsa situata me skuadrat e tjera duket e gjitha brenda logjikës së një kampionati, duke marrë parasysh renditjen dhe atë që kanë treguar këtë edicion skuadrat.

KUKËSI SI BUNKER – “Panorama Sport” u ka bërë një hulumtim këtyre 16 javëve kampionat dhe bie në sy që blutë e Stavri Nicës në plot shtatë ndeshje e kanë mbajtur portën të paprekur. Praktikisht në më pak se gjysmën e takimeve të zhvilluara, Kukësi ka qenë si bunker në prapavijë. Duket si një fakt që stonon jo pak me ecurinë e skuadrës dhe golat e pësuar në tërësi, por shifrat tregojnë se janë kampionët e deritanishëm në këtë aspekt.

Që në momentin kur Nica u ul në pankinë “meraku” kryesor ishte mbrojtja dhe duket se në këtë aspekt ka bërë jo pak, edhe pse në ndeshje të caktuara skuadra pëson jo pak dhe në fund nuk merr dot rezultatin. Në shtatë javët që nuk kanë pësuar gola, verilindorët kanë arritur të fitojnë në tri prej tyre, gjithnjë në shifrat e ngushta 1-0 dhe kanë barazuar me rezultat të bardhë në katër takime. Me pak fjalë, mund të thuhet se edhe ato pikë të grumbulluara deri tani janë si rezultat i sigurisë së treguar fillimisht në prapavijë dhe më pas cinizmit në sulm.

EKIPET E TJERA – Sa u përket skuadrave të tjera më pas, duket se gjithçka është brenda logjikës së një kampionati, ku ekipet kryesuese vijojnë pas Kukësit me ndeshjet më të shumta pa pësuar gol. Egnatia kryesuese e ka mbajtur në gjashtë raste të paprekur portën, ndërsa Partizani, Vllaznia, Dinamo dhe Erzeni në pesë prej tyre.

Skënderbeu, Laçi dhe Teuta nuk kanë pësuar gol vetëm në tri ndeshje. Ndërsa nga ana tjetër është Tirana që e mbyll këtë listë me vetëm dy ndeshje pa pësuar gol, pikërisht në fitoren 2 me 0 me Teutën dhe 1 me 0 me Vllazninë.

2 (2)

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"