Pa trajner e lojtarë, skuadra e Kategorisë së Parë në “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2021 | 13:26

Pa trajner e lojtarë, skuadra e Kategorisë së Parë në “ajër”

Fjalë shumë dhe produkt zero, është kjo situata e Apolonisë në këto ditë vere. Asnjë hap i ndërmarrë në hyrje-daljet e merkatos dhe mbi të gjitha nuk kanë trajner. Synojnë dhe kërkojnë gjithandej, por përvoja e viteve të kaluara ka treguar se në fund mbledhin përgjithësisht “thërrmijat” e mbetura nga të tjerët. Nga ana e klubit ka pasur interesime për disa lojtarë të kampionatit tonë, por edhe jashtë Shqipërisë, kryesisht të moshave të reja, pasi krerët fierakë nuk heqin dorë nga kjo filozofi. Por, nëse vazhdohet edhe këtë kampionat me futbollistë të rinj, atëherë pritet që të ketë një precedent te skuadra.

apolonia levendi

Të rinjtë e dalë nga akademia e Apolonisë do të jenë të parët që do të kërkojnë formacionin titullar, sepse justifikohen nga motoja e klubit: “Të promovojmë vlerat më të mira të produkteve të akademisë sonë”. Nga ana tjetër, zero është edhe numri i shitjeve gjatë kësaj vere, duke pritur oferta nga jashtë për disa lojtarë cilësorë të saj. Harizaj dhe Haxhiu janë të lidhur ngushtësisht me një kalim të mundshëm te Dinamoja, por klubi fierak ende i mban sytë nga tregu jashtë Shqipërisë, duke rrezikuar edhe marrëveshjen paraprake me blutë.

Një problem tjetër shumë i rëndësishëm dhe i pazgjidhur gjer tani është edhe çështja e trajnerit. Fierakët kanë lënë pa përgjigje interesimin e një eksperti si Veljko Dovedan, i vetofruar për pankinën e Apolonisë; Artan Mërgjyshi u ka refuzuar ofertën për mospërputhje në filozofi; Eqerem Memushi as që e ka menduar rikthimin dhe Ndriçim Kashami nuk është “as në tokë e as në qiell”… Klubi kavajas prej javësh është vënë në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa ai vetë deklaron se është ai trajner i Besës!

Ndërsa tre fierakët që e kanë drejtuar më parë Apoloninë: Papuçiu, Demiraj dhe Miho, e refuzojnë në mënyrë kategorike mundësinë e marrjes së skuadrës në këto kushte. Nëse deri tani nuk ka ardhur një trajner tjetër nga Italia, kandidaturat nuk kanë munguar, por kanë qenë bashkatdhetarët e Kamaratës që janë treguar skeptikë dhe jo klubi fierak.

Arsyeja se pse hezitojnë është fare e thjeshtë: për shkak të projektit të bazuar te lojtarët e rinj dhe çedimit në raportin mes objektivave të sezonit dhe organikës së skuadrës. Se si do t’i vejë filli kësaj Apolonie krejt pa rezultate në merkato gjer tani, të presim e të shohim. Klubi e ka shtyrë grumbullimin e parë për më 10 korrik, me shpresën se, së paku, gjer atëherë do të ketë arritur akordin me një trajner për pankinën e skuadrës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"