“ORAN 2022”/ Lojërat Mesdhetare, gjimnasti Matvei Petrov e mbyll finalen në vend të gjashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 18:45

“ORAN 2022”/ Lojërat Mesdhetare, gjimnasti Matvei Petrov e mbyll finalen në vend të gjashtë

Në Algjeri vijon garat e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”, aktivitet ku merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me 29 sportistë.

Matvei Petrov

Pasi kishte siguruar kualifikimin për në finale, gjimnasti Matvei Petrov konkurroi sot për medalje në disiplinën e kalit me doreza.

Petrov nuk mundi të zërë një vend në podium, teksa u klasifikua i gjashti mes tetë konkurrentëve, duke grumbulluar gjithsej 13,400 pikë.

Petrov siç dihet është një gjimnast rus, i cili disa vite më parë është pajisur me pasaportë shqiptare, duke përfaqësuar flamurin kuqezi në evente të ndryshme ndërkombëtare. Një zgjedhje kjo falë trajnerit të tij Alon Hasa, me të cilin punon prej kohësh në Çeki.

Ndërkohë duke u kthyer te finalja e garës së kalit me doreza, kampion Mesdheu në këtë disiplinë u shpall kroati Mateo Zugec me 14,250 pikë, në vend të dytë u klasifikua një tjetër kroat, Jakov Vlahek, i cili grumbulloi 14,150 pikë, ndërsa medalja e bronzit shkoi për turkun Ferhat Arican me 14,000 pikë.

Shqipëria deri më tani ka arritur të fitojë dy medalje në Lojërat Mesdhetare, suksese që kanë ardhur nga sporti i mundjes në stilin e lirë, me Zelimkhan Abakarov që fitoi medalje të artë, ndërsa Islam Dudaev mori të bronztën.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"