Sporti, “kooperativa” e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 22:33

Sporti, “kooperativa” e fundit

YLLI AGA

ylli aga

Në fundin e viteve ’50, “epidemia” e kolektivizimit mbërriti edhe në rrethinat e kryeqytetit. Në fshatin Arbanë, sekretari i Partisë kishte mbledhur banorët (i kishin mbledhur në fakt) për të propaganduar të mirat pa fund që do të sillte krijimi i Kooperativës së bashkuar të Vaqarrit.

-“Kooperativa juaj nuk do të ketë më agallarë dhe bejlerë që ju shfrytëzon. Do të bashkojmë të gjitha tokat, do të bashkojmë të gjithë forcën punëtore, do të jemi të gjithë bashkë, do të jemi më të fortë, do të jemi të gjithë të barabartë“, u fliste ndër të tjera me zë koke i deleguari i Partisë së Punës. Mes shumë prej atyre që u besuan premtimeve dhe iu bashkuan me fjalime korit të lavdeve për udhëheqjen, u ngrit edhe një ndër më të varfrit e zonës A.Zela, që deri atë ditë shumë nga hallet e tij i kishte zgjidhur te më i pasuri i zonës. Ai pati guximin për të pyetur:

– “O shoku sekretar! Kjo kooperativa me tokat e bashkume, ene tu punu të gjith bashk, do t’na boj t’gjithve t’barabart si un apo t’gjith barabart si Asmon Aga?!“. E vështirë për të marrë në analizë “kooperativat” e tjera, por e sigurt është se edhe tani pas gati 3 dekadash ekonomi tregu, sporti është me siguri “kooperativa” e fundit në vend dhe anëtarët e saj pothuajse të gjithë të barabartë si i varfri A.Zela.

Nëse doni shembuj, shikoni një shumicë klubesh futbolli, që luftojnë në kushtet e mbijetesës, pa asnjë mbështetje, pa asnjë garanci financiare, me një infrakstrukturë të dobët, pa asnjë lehtësi për ata që financojnë dhe me shpresa gjithnjë e më të pakta për një të ardhme të mirë. Për të mos folur për sportet e tjera, ku financimet nuk mjaftojnë as për të paguar rrogat e administratës dhe organizatorëve të garave, ku të gjithë ata që sakrifikojnë rininë e tyre për të përfaqësuar komunitete të caktuara, madje edhe ekipet tona kombëtare dhe në këmbim marrin vetëm premtime dhe përbuzje.

Nëse keni dyshime kujtoni kampionët e shumë medaljeve në garat ndërkombëtare që ende nuk kanë marrë shpërblimet e parashikuara, kujtoni se si Kombëtarja e meshkujve në Volejboll u desh të udhëtonte me autobus drejt Austrisë për të luajtur finalen për një biletë në kampionatin europian. Kujtoni si janë tretur shumë federata të sporteve të tjera, si janë zhdukur terrene dhe palestra pa fund, si është minimizuar apo edhe janë shuar klube që kanë bërë historinë e sportit tonë dhe si është limituar “armata” e të gjithë të rinjve që merren me sport, ku një numër i konsiderueshëm i tyre tanimë kanë rënë pre e të gjitha veseve të kohës.

Debatet pa fund për mënyrën se si mund të ndihmohet sporti bënë bashkë komunitetin e futbollit, që të gjitha shqetësimet e tyre i shpalosën në një takim me kryeministrin e vendit. Pas një pune disamujore, gjithçka është konkretizuar në një draftprojekt, që pret të kthehet në ligj për të mbyllur përfundimisht epokën e errët të rrugëtimit të vështirë, që përshkon i gjithë komuniteti i sportit.

Ndonëse pati një premtim publik për përmbylljen e kësaj iniciative në vetëm 100 ditë, gjithçka është shtyrë pambarimisht dhe ende pa një datë të re, ku gjithçka do të marrë formën e re nëpërmjet ligjit për sponsorizimin. E sigurt që kjo iniciativë nuk do t’i zgjidhë si me magji të gjitha problemet që ka sporti ynë, por me shumë mundësi do të ndezë një dritë shprese, do t’u japë mundësinë të gjithë atyre që merren me sport, që nga “lypës” të kthehen në një vitrinë tërheqëse për bizneset që operojnë në vend.

E sigurt që ligji i sponsorizimit nuk do të mjaftojë, por do të jetë një hap i parë për të mbyllur “kooperativën” e fundit që ka mbetur në vend nga koha e diktaturës, do të shpërndajë anëtarët e saj dhe do t’i vendosë më në fund në një garë të drejtë dhe të ndershme për të punuar, thithur investime dhe ndërtuar strategji për një të ardhme më të mirë dhe njëjtë si në shumicën e vendeve të kontinentit, ose minimalisht të barabartë me vendet e tjera të rajonit. Sigurisht, nëse premtimi i famshëm për vetëm 100 ditë nuk do të kthehet në javë apo në muaj.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"