Oriku, në “sofrën” e më të mirëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2019 | 18:50

Oriku, në “sofrën” e më të mirëve

MOISI DALIPI

Moisi Dalipi

Mbyllja e sezonit 2018-2019 për Kategorinë e Parë e ka vendosur skuadrën bregdetare të Orikut në vend të tretë në korsinë e 5 më të mirave të Grupit B. Në 26 javë kampionat, kjo skuadër debutuese e kësaj kategorie ka bilancin: 10 fitore, 8 barazime dhe 8 humbje, me golavarazhin 29 gola të shënuar dhe 27 të pësuar.

Pakkush kishte menduar se Oriku, i ardhur nga Kategoria e Dytë, do të bënte këtë paraqitje, madje disa e kanë paragjykuar këtë ekip, duke thënë se do të bënte thjesht një shëtitje në Kategorinë e Parë. Ndodhi krejt ndryshe, sepse djemtë bregdetarë jo vetëm siguruan pa shumë sforco qëndrimin në kategori, por u pozicionuan në 5-shen më të mirë.

orikumi

Tashmë që sezoni është mbyllur dhe drejtuesit e klubit kanë organizuar të gjitha nderet, analiza mund të bëhet më lehtë. Në grupin e saj, kjo skuadër promovuese e futbollit tipik vlonjat (sepse në përbërje ka ish-drejtues dhe ish-futbollistë të Flamurtarit), ka lënë pas në klasifikim ekipe më traditë si Lushnja, Apolonia, Pogradeci, Elbasani dhe Tomori. Edhe Bylisi, që u ngjit në Superiore, apo Besa me shumë pretendime, e kanë pasur shumë të vështirë përballjen me orikumasit.

E thënë qartë, në skanerin e ndeshjeve të kësaj skuadre, duke lënë mënjanë ndonjë luhatje, arrin në përfundimin se Oriku është paraqitur i fortë me të fortët dhe “i dobët” me ata që janë rreshtuar poshtë tij në klasifikim. Gjithsesi, e përgjithshmja është se është një skuadër e mirë, që ka tejkaluar pritshmëritë dhe ka pasur sukses. Në opinionin sportiv vlonjat diskutohet jo pak për këtë ecuri pozitive të Orikut dhe shpesh nuk mungojnë kënaqësia dhe bindja se shumë shpejt kjo skuadër do të rivalizojë edhe Flamurtarin.

Një fakt të tillë të bën të mendosh dhe atë se në Vlorë po bëhet gati të lindë një derbi më i balancuar Flamurtari-Oriku. Duke kërkuar arsyet e kësaj paraqitjeje, në mendje të vijnë shumë fakte interesante. Në analizën që i bëjnë sezonit trajneri Artan Sakaj dhe ndihmësi tij Halim Begaj, tregohen të kujdesshëm kur thonë: “Kishim mundësi të merrnim më shumë pikë, pse jo dhe të ishim kandidatë për t’u ngjitur në Superiore. Kemi marrë pikë me vlera ndaj kundërshtarëve direkt, por jemi treguar të pakujdesshëm në ndeshje që mendonim se fitorja ishte e sigurt”.

Oriku i kishte kushtet dhe mundësitë të rritej më shumë në klasifikim. Kur shikon përbërjen e skuadrës, me lojtarë si Halili, Muho, Azizaj, Kuçi, Gjinaj, Hoxha, Kuqi, Dulaj, Metaj, Kapo, Çaushaj, Capoj, Bocaj, Qejvani, Gjipali, Gonzales, Xhelili, Nurçe, Dhrami, Mitraj e Kongjoni, bindesh për këtë fakt. Një skuadër e formatuar bukur, me djem të rinj të dalë nga akademia e Flamurtarit, por dikush nuk u ka dhënë atë që u takonte.

Gjithsesi, tek Oriku ata kanë gjetur njëritjetrin për të luajtur futboll dhe për të kënaqur dëshirat e tifozërisë. Sezonin e kaluar e kanë bërë këtë gjë mjaft mirë. Kapiteni Argent Halili shprehet: “Një faktor që na ndihmoi shumë në paraqitjen e mirë është korrektësia financiare e drejtuesve të klubit dhe mbështetja e tifozëve. Gjithkush ditën e caktuar merr pagën mujore dhe gjithçka përmban kontrata. Po kështu, kemi tifozët tanë në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë fushe. Asnjë incident nuk është regjistruar në fushën tonë, ku ka fituar më i miri. Këto nuk janë pak për të na motivuar si skuadër të jepnim maksimumin”.

Grupi i biznesmenëve vlonjatë, Teki Xhemali, Platon Shabani, Muharrem Jazo dhe Gëzim Capoj, që përveç Bashkisë Vlorë mbështesin klubin e Orikut, kërkon të shkojë më tej sezonin e ardhshëm. Të gjithë në një zë e thonë qartë: “Kur e nisëm këtë bashkëpunim, dikush na paragjykoi, duke na cilësuar ruralë dhe modestë. Jemi shumë të bindur se mbështetja jonë për skuadrën do rritet çdo vit. Dhe, nuk është çudi që në të ardhmen Oriku të kërkojë të jetë pjesë e Superiores. Kemi filluar të mendojmë që tani për përbërjen e skuadrës dhe investimet që do kryhen në infrastrukturë për sezonin e ardhshëm”. Mjafton kaq për të besuar në këtë “betim lab” për të thënë: Kujdes, po vjen Oriku!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"