Opinion nga Moisi Dalipi/ Bidonë dhe çakmakë, Flamurtari mori fitore si të Pirros

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 22:37

Opinion nga Moisi Dalipi/ Bidonë dhe çakmakë, Flamurtari mori fitore si të Pirros

MOISI DALIPI

Ka mjaftuar një gol i realizuar nga mbrojtësi Albi Alla që Flamurtari të regjistrojë fitoren me vlerën e tri pikëve në ndeshjen e javës së dytë përballë Kukësit. Një fitore që në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë për skuadrën vlonjate vjen pas një kohe të gjatë, sepse e fundit ndaj miqve kuksianë është regjistruar më 27 tetor 2013 ose thënë më qartë pas plot katër vjetëve e dhjetë muaj.

Për më tepër, akoma kjo fitore do thotë shumë dhe për trajnerin Daja që në takimin e tij të parë përballë publikut të zjarrtë prek suksesin kundrejt një kundërshtari të fortë. Por vetëm kaq, sepse dy detaje, pikërisht gjendja e keqe e fushës dhe sjellja jo e mirë e tifozërisë vlonjate në dy-tre raste të pjesës së dytë ndaj gjyqtarit, e bënë këtë fitore të Flamurtarit si një fitore të “Pirros”. Duke u ndalur te sjellja e tifozëve në pjesën e dytë të ndeshjes, ku reagimi i tyre ndaj gjyqtarit Alla për mosndëshkim të futbollistëve kundërshtarë apo për ndërhyrje të gabuara, është shoqëruar me hedhjen e bidonëve të ujit dhe çakmakëve në fushë, konstatohet qartë se Flamurtari do presë vendimin e Komisionit të Disiplinës për këtë sjellje, gjë që pritet të sjellë edhe ndëshkim.

flamurtari festa

Futbollistët dhe drejtuesit vlonjatë u distancuan në moment nga këto veprime dhe të gjithë njëzëri pas ndeshjes kërkuan që kjo mënyrë tifozllëku jo vetëm që nuk i shërben skuadrës, por dëmton shumë atë. Shembujt e ndëshkimeve kampionatin e kaluar për Flamurtarin kanë qenë më shumë se çdo skuadër tjetër, ku për çdo kundërshtim, reagim e protestë të tifozërisë ndaj gjykimit, fatura e gjobës ishte gati. Aq e vërtetë është kjo, saqë dikush nga specialistët e vjetër pas ndeshjes së fituar me Kukësin është shprehur si me të qeshur: “Administratori i Flamurtarit duhet të ketë të gatshëm një fond financiar të veçantë për të përballuar “faturat” e Komisionit të Disiplinës.

Por, me këtë rast duhet thënë edhe fakti tjetër se në këto raste të reagimit të tifozërisë vlonjate nuk u konstatua asnjë reagim nga stjuartët që kishin marrë përsipër sigurimin e kësaj ndeshjeje. Ata, të shumtë në numër, të vendosur me pamje nga tribunat, qëndronin thjesht si vëzhgues pa kryer asnjë veprim. Nisur nga ky mosreagim i tyre, situata degradoi vazhdimisht dhe bëri që tifozët t’i përsërisnin këto veprime dhe dy herë të tjera. Po të ishte vepruar ndryshe nga ana e tyre, jo vetëm rasti i parë do izolohej shpejt, por as rastet e tjera nuk kishin për të ndodhur.

Shumë pak e mësuan rolin që kishin stjuartët, sepse gjithkush pa asnjë shqetësim mund të shmangte edhe kontrollet e hyrjes, por edhe të “reagonte” sipas qejfit ndaj vendimeve të gjyqtarit, duke hedhur në fushë bidonë uji e çakmakë. Por, shumë pak mendojnë se me këtë indiferentizëm të atyre që kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes, por dhe me veprimet e atyre tifozëve që “ju digjet zemra” për Flamurtarin (dikush mund ta bëjë dhe qëllim) të bëhen pjesë e pagesës së “faturës” dhe ndëshkimit që mund të japë Komisioni i Disiplinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"