Pas “suksesit” me Spanjën, mos prisni bujari nga Italia!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 11:56

Pas “suksesit” me Spanjën, mos prisni bujari nga Italia!

GËZIM SINEMATI

 

Gezim SinematiSe përse na u kujtua një anekdotë me një president të Superiores, fill pas ndeshjes me Spanjën, ku humbja u pagëzua e bukur, pasi në pjesën e dytë i gjalli dhe i vdekuri ndërruan rolet në mirëkuptim. Presidenti i një klubi u kishte thënë futbollistëve të tij, para ndeshjes, disa fjalë muzeale, të padëgjuara më parë: “Po pësuat 3 gola, përgjegjësia është imja. Nëse pësoni edhe golin e katërt, atëherë gjeni vend dhe futuni…”.

spanje shqiperi

As nuk besojmë se Spanja ndaloi te goli i tretë për ndonjë arsye madhore, por, prapëseprapë, të gjithë u habitën me kthesën e papritur në timonin e lojës, kur Isko me shokë treguan klas edhe në bamirësi. Një sjellje xhentëlmenësh me top, që kërkon më shumë mirënjohje nga tanët, tejet prekëse nga një brez futbollistësh, të cilët treguan haptazi se nuk do të dëshironin të hapnin një plagë të madhe në portën tonë.

Këtë e zbuloi edhe trajneri spanjoll Lopetegui, kur, fill pas ndeshjes, bëri një qokë çoroditëse, kur deklaroi “keni një trajner të shkëlqyer si Panuçi”. Çfarë fati kanë trajnerët e huaj, sidomos italianët kuqezi, ngaqë edhe kur humbasin me 3 gola, nuk mbeten pa e merituar qokën edhe si humbës.

Ndaj edhe logjika që ngushëllon median e shefit të madh është mbresëlënëse: në krahasim me humbjen 0-3 të De Biazit me Spanjën, kjo e Panuçit është për t’u puthur. Me Xhanin, nuk na lanë të preknim topin dhe të kalonim mesin e fushës, kurse me Kristianin na nxinë jetën vetëm 45 minuta, pastaj në të dytën sikur na thanë: “Tani luani ju, shkoni deri te shtyllat, por mos guxoni të bëni gol…”

Dhe u zbukurua aq shumë ekipi ynë në pjesën e dytë, sa dikush kishte patur përshtypjen se këtë herë ndodhi mrekullia e rrallë, pasi u vodhëm “bankën” spanjolleve, kur bënim tiki-taka m’u para syve të tyre. Kurse Starova, ish-trajneri i Partizanit, kritiku më stoik i ish-trajnerit De Biazi, ka pikasur momentin fatlum, kur në mes të një humbjeje “të suksesshme”, ka zbuluar njeriun që ktheu fletën e historisë.

Ai që në prag të ndeshjes me Italinë betohet, në emër të nderit të profesionit, se është më shumë shqiptar sesa italian, se kur ka qenë futbollist ka dhënë shpirtin për të mbrojtur portën e Italisë, por si trajner i shqiptarëve do të donte të hynte edhe ai vetë në portën e tyre.

Sepse një fitore ndaj Italisë do të ishte si një gur që vret dy zogj: do t’u mbyllte gojën atyre që dyshojnë se akoma është “nxënësi i Kapelos” dhe ka ardhur me mik në stolin tonë, kurse tjetra, shqiptarët do të fillonin të shkulnin nga zemra De Biazin, “fantazmën” që flet rregullisht sikur të mos ishte larguar nga toka jonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"