Koha e ndërhyrjes së shtetit për të pastruar KOKSH

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 10:10

Koha e ndërhyrjes së shtetit për të pastruar KOKSH

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

Ajo që po ndodh në KOKSH është kronikë e paralajmëruar e hapjes së kapakut të kutisë së skandaleve që herët apo vonë do bëheshin publike. Shumë fakte kanë dalë e shumë akuza duhet të vërtetohen, por, nëse duam që ky institucion të kthehet në atë që duhet dhe të kryejë realisht misionin e rëndësishëm që ka, është koha që të ndërhyjë fuqishëm shteti.

Ky është një proces që duhet filluar sa më shpejt dhe duhet të realizohet me seriozitet dhe objektivitet, duke respektuar autonominë e KOKSH, por edhe duke e “detyruar” të zbatojë ligjet, statutin dhe Kartën Olimpike.

“Pastrimi” i KOKSH nuk mund të lihet në dorë vetëm të prokurorisë apo veprimeve nga brenda ku paradoksi i shpikjeve “statutore”, nga ata që i thonë vetes jurist(!?), shkon deri në “pezullimin” e presidentit apo në trajtimin e vajtjes së tij në zyrat e KOKSH si tentativë për hyrje me dhunë?!?! KOKSH vepron në kuadër të legjislacionit shqiptar, të ligjit të sportit dhe njihet si i tillë nga MASR, Ministria e Sportit. Ndaj, duhet ndërhyrja institucionale e kësaj ministrie, në zbatim të ligjit të sportit, që ambienti i KOKSH të pastrohet. Të gjithë ata që kanë gabuar apo më keq, kanë bërë faje, duhet të largohen.

Me hir apo me pahir. Shteti ka në dorë të gjithë instrumentet ligjorë dhe institucionalë që të zgjidhë shpejt dhe drejt këtë situatë. KOKSH nuk është pronë e disa individëve që kanë sot role drejtuese në të. Lëvizja Olimpike është fytyra sportive e Shqipërisë. Njerëzit që luftojnë për të ruajtur karriget apo fshehur pisllëqet duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin, bëjnë pis, jo fytyrat reciproke, por këtë fytyrë sportive kombëtare.

KOKSH

Të qëndrosh spektator në këto kushte, është faj i rëndë dhe komprometon dukshëm reputacionin e institucioneve qeveritare. Nga ana tjetër, edhe anëtarët e KOKSH, ato federata dhe shoqata që mes shumë hallesh e problemesh po mundohen të mbajnë gjallë sportet respektive duhet të pozicionohen duke dënuar me mënjanim të gjithë drejtuesit e sotëm të KOKSH. Jo se të gjithë kanë të njëjtin faj. Por sepse, së bashku, kanë kontribuuar me veprime apo mosveprime në krijimin e kësaj katrahure. Presidenti nuk ka luajtur rolin e tij drejtues, është mjaftuar me besimin dhe jo me kontrollin.

Dhe ka përgjegjësi për këtë. Ashtu siç ka meritën e madhe që shpërtheu kapakun e situatës skandaloze në KOKSH dhe që po vazhdon i vetëm të luftojë për pastrimin e tij. Nga ana tjetër, ata që kanë uzurpuar kompetencat, që kanë shpërdoruar besimin dhe autoritetin e KOKSH, që akuzohen dhe janë në ndjekje penale për abuzime me detyrën dhe fondet e KOKSH, duhet të largohen menjëherë dhe pastaj të përballen me përgjegjësitë e të gjitha llojeve, nga morale, deri në ato penale.

Një Komitet Ekzekutiv që nuk përfaqëson Lëvizjen Sportive Kombëtare, që, në vend të drejtojë Lëvizjen Olimpike, shpërndan udhëtimet jashtë shtetit dhe fondet e CIO si qoka për vota apo mbyllje goje të anëtarëve, nuk i vlen më Lëvizjes Olimpike. Një Komitet që “pezullon” presidentin dhe vazhdon të “bëjë mbledhje” sikur nuk ka ndodhur gjë, nuk mund të drejtojë më Lëvizjen Olimpike. Duhet një komitet që përfaqëson federatat e mëdha dhe sportet olimpike: futbollin, basketbollin, volejbollin, atletikën, peshëngritjen, mundjen, boksin, çiklizmin, olimpikun special dhe të tjerë.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Duhet transparencë e plotë dhe kolegjialitet statutor. Që asnjë individ të mos bëjë “çfarë t’i dojë b…a” dhe të mburret me këtë… Duhet të vendosen në qendër të vëmendjes sportistët olimpikë dhe jo zyrtarët. Ky KOKSH e humbi Majlinda Kelmendin sepse nuk i dha 30 mijë dollarë që ajo kërkoi për t’u përgatitur për marrjen e medaljes olimpike. Ia dha këto para Kosova dhe sot ka një medalje të artë olimpike që në përfaqësimin e parë olimpik.

Ne kemi 50 vite që marrim pjesë dhe nuk i afrohemi dot një medaljeje… Ndërkohë që 30 mijë dollarë rezulton t’i ketë marrë vetëm sekretariati i KOKSH në një vit, si honorare jashtë rrogave mujore…!? Trajtimi i çështjes KOKSH është, praktikisht, testi final i shtetit shqiptar për seriozitetin e konsiderimit të sportit. Nëse dështon edhe në këtë test, atëherë me të vërtetë tragjedia e sportit shqiptar shënon aktin e saj të fundit…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"