“Nuk kemi justifikime”, Portugalia buzë gremine, Ronaldo: Shkojmë në Botëror!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 11:08

“Nuk kemi justifikime”, Portugalia buzë gremine, Ronaldo: Shkojmë në Botëror!

Nëse do të kishte qenë VAR-i (ose më saktë, teknologjia e vijës së portës) në ndeshjen Serbi-Portugali 2-2 marsin e shkuar, Kristiano Ronaldo nuk do të kishte dashur të vuante aq shumë për biletën në Botëror. Në minutën e 94-t dhe të fundit të shtesës së ndeshjes së vajtjes, sulmuesi i Juventusit atëherë kishte shënuar golin e fitores, por askush nga ekipi i arbitrave nuk e kishte parë topin që të kalonte tërësisht vijën fatale.

ronaldo 1

Mungesa e teknologjisë, e prezantuar vetëm në shtator, nuk e korrigjoi dot gabimin e holandezit Dani Makelie (i cili më pas kërkoi ndjesë) dhe Serbi-Portugali përfundoi 2-2 në vend të 2-3. Një rezultat që pas vetëvrasjes së luzitanëve mbrëmjen e së dielës në Lisbonë, rezultoi vendimtar për kualifikimin e Serbisë në Botëror dhe dërgimin e portugezëve në “play off”.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, i cili në mars doli nga fusha i tërbuar, duke flakur edhe shiritin e kapitenit, nuk dorëzohet edhe pas humbjes 1-2. Gati i përlotur, ai shkëmbeu disa fjalë me trajnerin Fernando Santos duke ngritur dyshimet e një përplasjeje mes tyre pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit.

Por, tekniku i Portugalisë sqaroi se për çfarë bëhej fjalë: “Po më thoshte se në Serbi ai kishte shënuar një gol në minutat e fundit dhe nuk qe i vlefshëm. Këtë po thoshte. Është shpërthimi i tij dhe është normale. Ai ishte i zhgënjyer”. Kristiano zgjodhi të reagonte ditën e hënë përmes një postimi në “Instagram” ku premtoi se në Katar ai nuk do të mungojë kurrsesi. Por, kapiteni 36-vjeçar i paralajmëroi shokët se në “play off” nuk mund të ketë më justifikime:

“Futbolli na ka treguar herë pas here se janë rrugët më sprovuese ato që na dërgojnë në rezultatet më të dëshiruara. Rezultati i djeshëm ishte i vështirë, por jo mjaftueshëm për të na gjunjëzuar. Objektivi për të qenë prezentë në Botërorin 2022 është ende shumë i gjallë dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të shkuar atje.

Nuk ka justifikime, Portugalia do të shkojë në Katar”. CR7 shënoi 6 gola në këto kualifikuese, përfshirë tripletën kundër Luksemburgut muajin e shkuar. Në Katar ai do të tentojë të luajë Botërorin e pestë radhazi, ku ka shënuar 7 gola në 17 ndeshjet e finaleve në total. Portugalia ka luajtur në çdo edicion të Kupës së Botës që prej “Francë 1998”, kur dështoi të kualifikohej.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"