“Nuk jam i fiksuar me Ronaldon”, Benzema: Duhet të jemi gati për Liverpulin të shtunën, çelësi ynë përvoja dhe karakteri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 20:25

“Nuk jam i fiksuar me Ronaldon”, Benzema: Duhet të jemi gati për Liverpulin të shtunën, çelësi ynë përvoja dhe karakteri

Karim Benzema ishte vendosur pak në hije nga Kristiano Ronaldo kur luanin së bashku në “Bernabeu”. Por sot francezi komandon skuadrën, duke shënuar 15 gola në Champions dhe duke i sjellë deri në finalen e së shtunës kundër Liverpulit.

Karim Benzema

Në moshën 34-vjeçare francezi ka fituar gjithçka në Madrid që kur u transferua nga Lioni në 2009-ën dhe kapiteni tregon për “UEFA.com” se ai nuk e ka humbur urinë për golat.

SEZONI AKTUAL

“Këto emocione do të mbesin përjetë, sepse udhëtimi ynë në Champions nuk ishte i lehtë. Ne luajtëm kundër PSG-së dhe ata ishin favoritë. Luajtëm kundër kampionëve në fuqi, Çelsit. Pastaj luajtëm kundër finalistëve të sezonit të shkuar, Sitit. Kjo provon se jemi një skuadër shumë e mirë dhe nuk dorëzohemi. Kemi forcë karakteri dhe me ndihmën e tifozëve mund të kthejmë çdo rezultat”.

BASHKËPUNIMI

“Ka shumë lojtarë të rinj, por ata kanë luajtur që tani 70-100 ndeshje. Ky është një grup ku të rinjtë dëgjojnë të vjetrit. Ne japim këshilla dhe ata thonë se çfarë mendojnë. Kështu funksionon grupi. Nuk ka diferencë përveç moshës”.

REKORDI I RONALDOS

“Rekordet do të ekzistojnë gjithnjë (17 golat e CR7 gjatë një sezoni), por ato janë atje për t’u thyer. Për mua ajo që ka rëndësi është të jap gjithçka në fushë dhe të ndihmoj skuadrën të fitojë. Goli i preferuar i sezonit? Të gjithë kanë qenë të rëndësishëm. Ndoshta më i bukuri është ai i treti kundër PSG-së ose penalltia ndaj Sitit. Por edhe ai me kokë kundër Çelsit ishte i tillë, sepse erdhi pas një aksioni të bukur”.

EKSPERIENCA

“Ka gjithnjë e më shumë lojtarë që kur kalojnë të 30-at bëhen më të mirë. Unë kujdesem për veten, i kushtoj shumë rëndësi asaj që bëj. Mendoj se përvoja ndihmon. Prandaj ndihem mirë sot, si teknikisht ashtu edhe psikologjikisht. Kur isha 20 vjeç isha i fiksuar me futbollin, për të luajtur. Pak e nga pak kupton se të jesh në fushë nuk është gjithçka. Ka shumë gjëramë të rëndësishme përreth: të ushqehesh mirë, të flesh mirë, pushosh, puna në palestër. Dikur mendoja se futbolli kishte lidhje me vetë atë që ndodhte në fushë”.

CHAMPIONS-I I 5-TË

“Do të vlerësoj nëse kam shkruar historinë me klubin kur të mbyll karrierën. Në çdo rast, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për mua. Përpiqem të bëj diçka të re gjithnjë, për ta bërë më emocionuese për tifozët. E thënë kjo, sigurisht që është ëndrra ime të fitoj një tjetër Champions. Por ne duhet të jemi me të vërtetë të mirëpërgatitur dhe luajmë për ta fituar finalen”, përfundoi francezi.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"