Nuk fitojnë nga 3 marsi, Vrapi: Vorën e vërtetë e shikoni ndaj vlonjatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 14:26

Nuk fitojnë nga 3 marsi, Vrapi: Vorën e vërtetë e shikoni ndaj vlonjatëve

Vora e ka nisur si mos më keq fazën e tretë. Ndoshta “vrapi” i dy fazave të para e ka lodhur dhe kjo po shfaqet tani në finishin e kampionatit. Gjatë 6 ndeshjeve të kësaj faze, Vora ka fituar vetëm një kundër Besës, ndoshta “mallkimi” i kavajasve nuk e ka lënë që skuadra vorake të ngrejë kokë, duke pasuar 5 humbje radhazi.

vora

Vora nuk fiton nga 3 marsi, por gjithsesi skuadra ka arritur që të mos zbresë poshtë vendit të katërt. Ekipi kërkon të kapë sërish ritmin, në mënyrë që në pesë ndeshjet e mbetura të besuarit e trajnerit Endri Zjarri të tregojnë një fytyrë tjetër dhe të mos venë në rrezik vendin e katërt në renditje. Vora do të presë këtë të premte në shtëpi Flamurtarin, një rival direkt për fazën “play off”. Në lidhje me këtë sfidë, Jurgen Vrapi për “Panorama Sport” u shpreh:

“Vora e kësaj faze nuk është skuadra e vërtetë. Atë do ta shikoni në ndeshjen kundër Flamurtarit, ku do të rikthehemi te fitorja. Humbjet? Kemi pasur disa probleme, grupi nuk ka qenë i plotë për shkak dëmtimesh e dënimesh. Kjo ka sjellë një ngërç në 11-shen bazë. Mos arritja e biletës direkte në Superiore ka ndikuar jo pak në aspektin psikologjik te ekipi. Kjo do të kalohet shumë shpejt dhe ekipi do të jetë ai i fillimit të sezonit. Vora ka cilësi, devotshmëri dhe besnikëri nga të gjithë lojtarët.

Ne do t’u qëndrojmë besnik synimeve tona deri në fund. Faza ‘play off’? Kushdo qoftë nga ekipet rivale, ne do ia dalim me sukses dhe do të arrijmë të përballemi me të tetën e Superiores. Kjo na jep edhe mundësinë përfundimtare për t’u ngjitur në Superiore”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"