Nuk e diskuton fitoren ndaj Fraiburgut, Alegri “ndez” Vlahoviçin: Pres dopietë nga Dushani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 12:15

Nuk e diskuton fitoren ndaj Fraiburgut, Alegri “ndez” Vlahoviçin: Pres dopietë nga Dushani

Triumfi në Europa Ligë ka mbetur i vetmi front ku Juventusi mund të shpresojë rreth një trofeu të mundshëm në Europë, pas turpërimit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.vlohi

Rigjetja e ritmit në lojë dhe rezultate bëri që drejtuesit dhe tifozët bardhezinj të besojnë se ata mund t’ia dalin, megjithatë disfata përballë Romës në fundjavë i ka trazuar sërish ujërat. Fati ka rezervuar që Fraiburgu të jetë pengesa e radhës, me mision kualifikimin në çerekfinale. Trajneri i “Zonjës së Vjetër” do të zbërthente formën e grupit, “heronjtë” e mundshëm dhe reparti ku ai ka më tepër pasiguri.

OBJEKTIVI-“Do të gënjeja nëse do të pohoja se dëshira jonë është të kalojmë vetëm në raundin pasardhës, suksesi mbetet qëllimi kryesor, ndonëse fillimisht duhet të kalojmë Fraiburgun. I kemi të gjithë komponentët për t’i shkuar deri në fund këtij rrugëtimi. Tani që edhe grupi po plotësohet më bën më optimist se mund t’ia dalim”, pohonte me nota të larta shpresëdhënëse Alegri.

FORMACIONI-“Di Maria me shumë gjasa do të luajë nga minuta e parë, ky skenar do të jetë i njëjtë edhe për Dushan Vlahoviçin. Ndërsa Pogba kërkon rreth gjendjes optimale, pas një mungese të gjatë, megjithëse ishte i pranishëm në takimin e fundit. Kieza gjithashtu mund të përdoret si opsion në drejtime të ndryshme të sulmit, e dëshmuar me sukses sezonin e shkuar. Mois Ken e pranoi gabimin ndaj Romës dhe do ta shlyejë detyrimin, por kjo nuk nënkupton se ai është lojtar i vijës së dytë në planet e mia. Mbrojtja më krijon më tepër konfuzitet, si shkak i problemeve fizike të Bonuçit dhe Aleks Sandros. De Shilio e ka të pamundur prezencën, çka do të thotë se kushtëzimet mund të ndikojnë në zgjedhjen përfundimtare rreth titullarëve.

PRITSHMËRITË NDAJ VALHOVIÇIT- “Pres që Dushani të shënojë të paktën dy gola në duelin e sotëm. I mjafton indicia e duhur përpara portës kundërshtare dhe çlirimi i finalizimit do t’i japë më tepër kreativitet në zonën mike. Përjetimi i një ngërçi nuk është i lehtë dhe zhbllokimi luan rol të rëndësishëm. Uria e bomberit tonë nuk ka munguar, sfida e duhur për të kthyer pllakën dhe të ruajmë qëndrueshmëri në rezultat, sigurisht me ndihmën e një prej ‘pykave’ më të mira në Europë”, shprehej mes frazash ledhatuese trajneri i Juventusit ndaj sulmuesit serb, i cili nuk po e gjen dot ritmin e atij “përbindëshi”, ashtu siç u prezantua te Fiorentina, pa anashkaluar edhe problemet fizike.

PORTA “E PASTËR”-“Fitorja pa pësuar do të na japë siguri mbi ndeshjen pasardhëse, aq më tepër ku do të luajmë përpara tifozërisë sonë. Mbajtja e portës së paprekur do të na e bënte më të lehtë menaxhimin e sfidës së kthimit”.

RIVALI-“Fraiburgu e ka treguar se sa kockë e fortë është për t’u thyer në Europë. Mjafton të shikojmë bilancin e tyre përgjatë rrugëtimit në kompeticion, zero humbje. Tregues se çfarë detyre e vështirë na pret. Forca fizike, një tjetër komponent i rëndësishëm në stilin e tyre të lojës, i cili kërkon zgjidhje, nëse dëshirojmë të avancojmë. Megjithatë, nuk është koha për pasiguri, grupi e ka dëshmuar se çfarë është i aftë të kryejë edhe kur nuk ndodhet i plotë”, përfundoi me tone motivuese trajneri 55-vjeçar i rekordmenëve italianë.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"