“Nuk bëmë dot 3-4 pasa, Kombëtarja është kthyer 40 vite mbrapa”, Arjan Peço: Luajtëm me 10 lojtarë ndaj Anglisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 23:35

“Nuk bëmë dot 3-4 pasa, Kombëtarja është kthyer 40 vite mbrapa”, Arjan Peço: Luajtëm me 10 lojtarë ndaj Anglisë

Ish-futbollisti i Kombëtares, Arjan Peço, analizoi sfidës e Shqipërisë ndaj Anglisë, ku kuqezintjë u mposhtën me rezultatin 0-2. Në një lidhje në “Skype” për “Procesin Sportiv”, Peço, nuk i kurseu kritikat për trajnerin Edi Reja.

Peco

Sipas tij, Kombëtarja shqiptare nuk bënte dot 3-4 pasa duke u kthyer 40 vite mbrapa. Ndryshimi i skemës, dhe aktivizimi i Cikalleshit në krahun e djathtë të mesfushës, sipas Peços, bëri që Shqipëria të duket sikur ishte me 1 lojtar më pak në fushë.

“Loja e Kombëtares është kjo që është. Ne duhet ta marrim të mirëqenë që trajneri i ekipit kombëtar është Edi Reja, askush nuk e vë në dyshim që ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe është një trajner me shumë eksperiencë. Është apriori që nuk mund ta ndryshoj. Po tjetra është ajo që ka treguar Reja në kombëtare. Ai është shumë i kujdesshëm në lojën mbrojtëse. Parimi është që të mos pësojmë gola e pastaj të shohim përpara dhe këtë e ka treguar jo vetëm në ndeshjen me Anglinë, por në të gjitha ndeshjet me ekipin Kombëtar.

Nëse në fillim e stabilizoi ekipin, ai ka luajtur gjithmonë me 5-3-2 që është shumë, shumë rreshtim mbrojtës. Me Anglinë u pa e njëjta gjë, u mendua se do luanim 3-4-3, me tre sulmues, por ishte një formacion 5-4-1. Cikalleshi luajti mesfushor i djathtë në 5-4-1 dhe jo për faj të tij, por të vendosjes e sistemit,  nuk u pa fare në fushë, por atë rol mund ta bënte më mirë Broja. Ne thuajse luajtëm me një lojtar më pak gjithë lojën për shkak të këtij fakti.

Mbrojtja ishte OK, reparti më i konsoliduar. Ishte OK, por në momentin që merrnin topin, nuk kishin asnjë lloj pikë referimi në sulm dhe ose e humbnim shpejt ose luanim top të gjatë. Edhe kur e merrnin mesfushorët topin, orientimi ishte mbrojtës, duke kthyer topin 40 metra te Berisha mbrapa, e vetmja strategji ofensive ishte thjesht kundërsulmi.

Ai i Uzunit ishte rast, por përsëri është shumë pak, ne nuk bëjmë dot 3-4 pasa dhe është fakt. Jemi kthyer 40 vite mbrapa, me gjithë respektin për ata lojtarë të atyre viteve, që kishim detyrë vetëm të prishnim lojë e mos mendonim për anën ofensive fare. Kjo është ajo që bie në sy në lojën e Edi Rejës.

Që Anglia është superiore as nuk vihet në diskutim, ka ndryshuar fizionominë e lojës. Duke parë ekipet e tyre që luajnë në nivelet më të larta, kanë ndryshuar me një trajner më modern, mundohet të vërë kundërshtarin në presion dhe një ekip si Shqipëria nuk mund të vrapojë gjithë kohës pas topit, futbollistët janë specie të çuditshme, kanë nevojë të luajnë me topin dhe kur nuk kanë topin lodhen shpejt”, ishte shpjegimi i Peços.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"