Notat e skuadrave për javën e 20-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2016 | 10:45

Notat e skuadrave për javën e 20-të të Superiores

Tirana 8 – Fiton pas katër vitesh në Laç dhe e bën duke bindur në lojë, në rezultat dhe në mënyrën e shënimit të golave. Bardheblutë kanë gjetur një ritëm të frikshëm që u jep të drejtën që të pretendojnë edhe për më shumë sesa vetëm sigurimi i vendit të tretë.

teuta-vllazniaaaaaaSkënderbeu 7.5 – Mund Kukësin, që, edhe pse nuk është ekipi i vjetshëm që e rivalizonte për titull, mbetet një ekip i vështirë. Trajneri Josa ka gjetur zgjidhjen në repartin e avancuar dhe Salihi e Xhejms kanë filluar të “flasin” të njëjtën gjuhë që në ndeshjen e parë. Hapi fals i të kuqve bën që të rimarrin edhe një herë kreun.

Teuta 7 – Pavarësisht vështirë- sive, mund Vllazninë. Një ndeshje e rëndësishme për të besuarit e Maganit, të cilët si objektiv primar kanë që të grumbullojnë sa më shumë pikë me skuadrat që renditen pas saj. Me këtë trepikësh, rikonfirmon objektivat që ka për një vend në zonën europiane.

Bylisi 6.5 – Katër gola nuk mund të jenë kurrsesi rastësi, pavarësisht dobësisë së kundërshtarit. Fiton një ndeshje që konsiderohet jetike në luftën për mbijetesë dhe u jep të drejtën që të shpresojnë.

Flamurtari 6 – Barazon, por një pikë e marrë në transfertë me rivalin pretendent për titull, mund të konsiderohet si mjaft pozitive. Është komentuar shumë për ndryshimet që ka bërë në merkato, megjithatë po tregon forcë dhe që pjesën e dytë të sezonit do të mundohet të rifitojë të paktën pikët e humbura…

Partizani 5.5 – Pavarësisht diskutimit mbi “golin fantazmë”, një ekip pretendent për titull nuk mund të falet nga një episod i arbitrimit. Ky ishte një hap fals i të kuqve, i cili mund t’u kushtojë shtrenjtë.

Vllaznia 4 – Humb, por del me kokën lart nga Durrësi. Pavarësisht nevojës për pikë, skuadra e Cungut tregoi që tashmë ka fituar tagrin e të qenit e barabartë edhe me ekipe si Teuta që luan shumë bukur dhe me shumë grintë.

Kukësi 4 – Të kërkosh të mundësh Skënderbeun është një e drejtë legjitime, sidomos kur ishte ndeshja pasardhëse e humbjes së korçarëve në Shkodër. Por, të luash me tre sulmues në transfertë me këtë ekip, është risk i tepërt. Forcat e shumta sulmuese nuk ia shpërblyen besimin trajnerit Duro. Gjithashtu, prapavija nuk i kishte bërë mirë llogaritë, nisur edhe nga fakti që kjo ishte e para ndeshje ku Salihi e Xhejms luanin së bashku.

Laçi 3.5 – Pëson tre në shtëpi dhe nuk janë shumë për një “ekip fushe”. Kurbinasit nuk kanë humbur vetëm forcën sulmuese me largimin e Xhejmsit, por edhe në prapavijë, nuk kanë më garancinë e dikurshme.

Tërbuni 3 – Humb një ndeshje që nuk mund t’ia lejonte vetes. Trajneri deklaron me sigurinë maksimale që do të “qëndrojmë në Superiore”, megjithatë harron që u mund nga rivali direkt. Një ndeshje ku pukjanët nuk iu afruan thuajse asnjëherë portës së Frashërit, kërkon patjetër rivlerësim të mundësive që ka Tërbuni, ose të paktën të objektivave për këtë sezon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"