Një sulmues si dhurata e fundit për Dajën, trajneri pret edhe një lojtar për ta mbyllur merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 22:47

Një sulmues si dhurata e fundit për Dajën, trajneri pret edhe një lojtar për ta mbyllur merkaton

Faza përgatitore e janarit po shkon drejt fundit dhe në kampin korçar pritet që të fillojnë edhe mikrociklin për të bërë të mundur uljen e ngarkesave dhe përshtatjen e ekipit në kushte loje. Por, duket se veç përgatitjes së ekipit në këtë minifazë, trajneri Ilir Daja është duke menduar edhe për merkaton, e cila pavarësisht afrimit të Blerim Krasniqit dhe Emiljano Vilës, ende nuk mund të quhet e mbyllur. Tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te një sulmues, i cili i duhet ekipit për pjesën e dytë të sezonit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti Ardjan Takaj, por gjithashtu trajneri Ilir Daja, i cili në një prononcim për gazetën theksoi se deri në fund të merkatos gjithçka mund të ndodhë. “Pavarësisht se kemi afruar në ekip lojtarë të profilit sulmues, ende merkaton nuk mund ta quaj të mbyllur. Presim deri në fund të shohim se çfarë do të ndodhë. Mund të kemi edhe një sulmues tjetër të afruar, por të shohim”, është shprehur Daja duke lënë të kuptohet se ende mendja e trajnerit është edhe te një afrim i fundit në sulm që do të rriste konkurrencën në ekip. Kjo pak a shumë është situata për sa u përket afrimeve që e bën trajnerin të mendojë ende për një goditje të fundit si dhuratë nga presidenti Takaj.

daja

LARGIMET – Ajo që e shqetëson më shumë Dajën është merkatoja në dalje. Numri një i pankinës korçare prej kohësh ka bërë apel, madje ia ka thënë edhe vetë presidentit në takimet që kanë pasur se ruajtja e grupit do të ishte një garanci më e madhe. Por, zërat e merkatos çdo ditë vijnë e bëhen më të fortë, qoftë për Bajram Jashanicën, ashtu edhe për Bakari Nimagën. Nëse një largim i Nimagës nuk do të prishte balancat në mesin e fushës, atje ku edhe konkurrenca është me e madhe, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për në mbrojtje. Jashanica është një nga pikat e forta të prapavijës së Skënderbeut, një lojtar që të ofron garanci në situata të vështira kundërsulmi dhe për këtë largimi i tij do të linte një gropë të madhe.

Mungesa e alternativave në merkato për të mbushur hapësirën e lënë nga Jashanica është e dukshme dhe kjo duket se frikë- son bardhekuqtë dhe mbi të gjitha trajnerin Daja. Për këtë arsye pritet me sy e veshë se çfarë do të ndodhë, por është e sigurt se një largim i Jashanicës do të rifuste ekipin në merkato për mbrojtës dhe situata këtu është mjaft delikate për shkak të alternativave të pakta. Prandaj dhe klubi nuk dëshiron të nxitohet me mbrojtësin Bruno Lulaj, që u tha se do të transferohet në formë huazimi te Laçi.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"