Një shkelm krizës, Nica ndërton mbrojtjen hermetike të Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2023 | 11:20

Një shkelm krizës, Nica ndërton mbrojtjen hermetike të Kukësit

Kukësi duket se ka ndryshuar në 180 minutat e fundit dhe dora e Stavri Nicës ka nisur të ndihet në skuadër. Thuhet kështu, pasi blutë kanë arritur të marrin dy rezultate pozitive, një fitore dhe një barazim dhe për më tepër që kanë ardhur të dyja në transfertë.

kukesi stavri nica

Në njëfarë mënyre mund të thuhet se ekipi e ka kaluar atë minikrizë të fillim sezonit, ku pas katër javësh nuk kishin grumbulluar asnjë pikë dhe qëndronin në vendin e fundit në klasifikim. Një situatë që ka rikthyer optimizmin në skuadër dhe shpresojnë që sa më shpejt t’i largohen edhe zonës së ftohtë të klasifikimit.

MERAKU I NICËS – Në fakt, Nica e pati shprehur hapur që në fillim që nuk i pëlqenin golat e shumtë që pësonte skuadra dhe gjëja e parë që do të bënte lidhej me riparimin e prapavijës.

Diçka është bërë sa i përket këtij aspekti, sepse skuadra duket se po jep përgjigjet e duhura dhe këtë e tregojnë golat e pësuar. Në dy ndeshjet e fundit skuadra e ka mbajtur të paprekur portën, diçka që as nuk mendohej po të llogarisësh katër ndeshjet e para, ku ekipi kishte shumë të “çara” në këtë repart.

Me një mbrojtje hermetike, duke i lënë sa më pak mundësi kundërshtarit, i jep mundësi ekipit që të jetë më i qetë dhe të përfitojë më pas sa të mundet në fazën ofensive.

Të paktën për momentin ekipi duket se po funksionon, jo vetëm sa u përket pikëve të marra, por edhe loja ka ardhur në rritje. Edhe në sfidat që Kukësi ka dalë pa pikë, siç janë ato ndaj Dinamos apo Tiranës, janë dhënë shenja të mira dhe pozitive.

SHKELM KRIZËS – Megjithatë, është ende herët për të folur për një largim të krizës, pasi bëhet fjalë për vetëm dy ndeshje. Për këtë arsye, në Kukës duan të mbajnë me këmbë në tokë skuadrën dhe të mos kalojnë në eufori. Kjo edhe për faktin se të hënën kanë një sfidë delikate për të luajtur, siç është ajo me Erzenin në “Kukës Arena”.

Një rezultat tjetër pozitiv ndaj shijakasve do të bënte që përkohësisht blutë të dilnin nga kaosi i fillimkampionatit, ku nuk jepte shumë shpresa për vazhdimësinë këtë kampionat. Gjithsesi, për momentin të paktën është rikthyer besimi në skuadër, ajo që tekniku Stavri Nica e përmendte shpesh si një ndër faktorët kryesorë për të marrë rezultatet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"