Një duel “vertikal”, kur dhe si shënojnë të dyja skuadrat në derbin e Milanos

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 21, 2018 | 19:46

Një duel “vertikal”, kur dhe si shënojnë të dyja skuadrat në derbin e Milanos

Të gjithë me sytë nga Inter-Milan, një sfidë e gjitha për t’u jetuar, nga e gdhira në perëndim… Dy skuadrat e Milanos janë sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme në disa aspekte të lojës së tyre. Ndonëse shumë presin që ky të jetë një duel mes Ikardit dhe Higuainit apo mes Perisiçit e Susos, sigurisht që në ndeshje të tilla kampionët kanë peshën e tyre, por në fund, shpesh diferencën e bëjnë detajet.

Inter-Milan-vs-AC-Milan-live-stream-1034566

Interi është një skuadër që ka ditur t’i japë një marsh të fortë sezonit të tij, deri përpara pauzës, duke qenë se mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve ka regjistruar 6 fitore radhazi, ndërsa Milani ka rigjetur një formë të mirë dhe në 6 sfidat e fundit numëron 4 fitore.

Një tjetër ndryshim mes këtyre dy skuadrave lidhet mbi të gjitha me mënyrën e tyre të të shënuarit, e cila tregon se pavarësisht formës së mirë që po kalojnë, si Interi ashtu edhe Milani kanë një “karakter” të ndryshëm për sa i përket edhe menaxhimit të 90-minutëshit.

Kuqezinjtë janë një skuadër që duan gjithmonë ta nisin me vrull, të paktën në 60- minutëshin e parë. Këtë e tregojnë shifrat, duke qenë se 12 nga 15 golat e shënuar në 7 ndeshjet e para të kampionatit (kanë një ndeshje me pak se Interi) i kanë realizuar pikërisht gjatë orës së parë të lojës.

Statistikat derbi

Ndërsa, Interi është një ekip që e nis me më shumë qetësi për të pasur benzinë deri në fund, madje duke u bërë i frikshëm në çerekorëshin e fundit të lojës, me 7 nga 12 golat e realizuar në kampionat, pikërisht në këtë fraksion të ndeshjes.

Si Interi ashtu edhe Milani duken dy skuadra shumë vertikale, pasi e kanë goditur portën rivale respektivisht 93 dhe 97 herë, por në të njëjtën kohë vrapojnë shumë, me një mesatare prej 109 dhe 111 kilometrash për ndeshje. Prandaj, nëse dy ekipet e Milanos vendosin që të luajnë hapur dhe ta kërkojnë fitoren pa u frikësuar, spektakli në “San Siro” është i garantuar.





www.minuta90.com