Ngjitje dhe gola, La Torre: Kam ardhur me ide të qarta, ja çfarë më pëlqeu tek Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2024 | 13:43

Ngjitje dhe gola, La Torre: Kam ardhur me ide të qarta, ja çfarë më pëlqeu tek Flamurtari

Flamurtari prezanton Sebastian la Torren. Ashtu sikundër “Panorama Sport” zbuloi ekskluzivisht, peruani është zyrtarisht futbollist i kuqezinjve. Ai vjen nga Superiorja dhe më një eksperiencë të madhe mbi shpinë.

la torre

Flamurtari e mori nga Kukësi në formë huazimi, duke i shtuar alternativat vijës së parë. Qendërsulmuesi është i lumtur për këtë transferim, që duket se e ka dashur shumë. Këtë e pranon edhe gjatë një prononcimi të dhënë enkas për gazetën, ku shprehet i kënaqur për aventurën e re. Thekson se në Vlorë e kanë pritur mjaft mirë, ndërsa pranon që ka ardhur në formë borxhi.

“Jam shumë i kënaqur këtu në Vlorë edhe pse kam vetëm dy ditë që kam ardhur.  Më pëlqeu shumë mënyra se si më trajtuan dhe më pritën sapo unë erdha. Do të jem këtu deri në fund të sezonit dhe kam ardhur i huazuar nga Kukësi. Po më respektojnë dhe ndihem mirë si nga drejtuesit ashtu edhe nga futbollistët. Kam ardhur në një ambient shumë familjar dhe me sa po shoh nuk do të jetë e vështirë përshtatja”, shprehet fillimisht 25- vjeçari, duke folur për herë të parë si futbollist i kuqezinjve.

OBJEKTIVI DHE PREMTIMI Sebastian la Torre e di fare mirë se ku ka ardhur dhe se cilët janë objektivat e klubit. Të qartë e ka se Flamurtari kërkon ngjitjen në Superiore në fund të këtij sezoni dhe premton se do të japë maksimumin e tij për këtë.

“Flamurtari është një emër i madh në futbollin shqiptar. Kam ardhur këtu që të luftoj për t’u promovuar, por edhe për të ndihmuar skuadrën sa më shumë për të arritur qëllimin që ka. Objektivi është ngjitja në Superiore. Unë do të jap gjithçka dhe premtoj se do të punoj shumë. Dua që të ndihmoj ekipin duke shënuar sa më shumë gola”, përfundon braziliani.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"