Nga Vllaznia tek Egnatia e Gramozi, përfituesit nga UEFA në 15 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2016 | 23:23

Nga Vllaznia tek Egnatia e Gramozi, përfituesit nga UEFA në 15 vjet

Ndërkohë që shumica e akademive të klubeve shqiptare ushtrojnë aktivitetin në kushte të mjerueshme, UEFA ka shpërndarë Fondin e Solidaritetit për përmirësimin e tyre prej së paku 15 vitesh.

Pamjet skandaloze të fëmijëve që zhvishen në fushë sepse nuk kanë dhoma zhveshjesh, të klubeve që shpalosin talentin e improvizimit për të veshur njësoj 11 lojtarët në fushë, apo të të ashtuquajturave fusha futbolli, ku duhet të ndihesh me fat në qoftë se shikon ndonjë metër katror të mbushur me bar jeshil, nuk do të ekzistonin nëse këto para do të shkonin në destinacionin për ku UEFA i akordon.

FSHF logo

Plot 25 klube kanë qenë pjesëmarrës në Kategorinë Superiore që nga sezoni 2001-2002 deri në sezonin e shkuar, atë 2015-2016. Në këto 15 sezone, Teuta, Tirana dhe Vllaznia janë klubet e vetme që kanë qenë gjithnjë të pranishme. Çdo vit, për plot 15 vjet, në llogarinë e këtyre klubeve duhej të kalonte një shumë e caktuar parash, e cila do të investohej në përmirësimin e kushteve të akademive përkatëse.

Përveç këtyre tre, janë edhe 22 klube të tjera, të cilat duhet të kishin marrë para për t’i investuar në akademitë e tyre, duke filluar nga Flamurtari me 13 pjesëmarrje në 15 sezonet e fundit dhe vazhduar deri tek Egnatia, Gramozi, Kamza, Pogradeci apo Tërbuni, të cilat kanë luajtur në Superiore nga vetëm një herë gjatë kësaj periudhe.

Tabela 1

Klubet shqiptare, aty ku “selfie” me Rumenigen vlen më shumë se akademitë

Nëse pagesat e solidaritetit kanë filluar të rriten në mënyrë të ndjeshme vit pas viti, një meritë shumë të madhe ka edhe ECA, organizata që bashkon klubet profesioniste europiane. Nën drejtimin e Karl Hainz Rumenige, kjo organizatë, e krijuar në vitin 2008, ka mundësuar që vit pas viti dyshemeja e fondit të solidaritetit të rritej ndjeshëm.

Që në vitin 2009, kryetari i ECA-s, Rumenige, deklaronte pas firmës në një marrëveshje me Mishel Platini se ishte i lumtur që jo vetëm klubet e mëdha në Europë do të përfitonin nga të ardhurat që gjeneronte Liga e Kampioneve. Që atëherë kishte klube të ndryshme shqiptare që aderonin në ECA, ashtu siç janë tani tre të tilla, të cilat nuk ngurrojnë të mburren me faktin se ulen në një sallë me përfaqësuesit e klubeve më të rëndësishme europiane.

Por Tirana, Kukësi dhe Vllaznia, në vend që të kalojnë kohën duke postuar ftesat që u vijnë nga ECA për aktivitetet e përvitshme, apo duke postuar fotot e drejtuesve përkrah Karl Hainz Rumenige, duhej të bënin mirë të pyesnin këtë të fundit se çfarë po përfitonin nga ky aderim. Legjenda e futbollit gjerman, njëkohësisht drejtuesi i Bajern Mynih, ashtu siç ka bërë shpesh në vitet e fundit gjatë çdo fjalimi që mban në Kongreset e ECA, do t’u kishte shpjeguar se, falë organizatës së klubeve që drejton, klubet e Tiranës, Kukësit e Vllaznisë përfitonin gjithmonë e më shumë të ardhura për akademitë e tyre nga Liga e Kampioneve çdo vit, edhe pse asnjë prej tyre nuk i është afruar fazës në grupe të turneut.

Fakti se klubet e mësipërme deklaruan para pak ditësh për “Panorama Sport” se as nuk ia kishin idenë se çfarë ishte fondi i solidaritetit që shfrytëzohej për akademinë, i bën ata sa fajtorë, aq edhe të papërgjegjshëm dhe tregon qartësisht pse futbolli shqiptar ka nevojë për një reformë të thellë në çdo aspekt.

“Panorama Sport” vuri federatën në lëvizje për fondin

Më datën 3 nëntor, gazeta “Panorama Sport” publikoi artikullin me titull “UEFA, 48 mijë euro për çdo klub në Superiore”. Shkrimi i referohej pikërisht Fondit të Solidaritetit. Një ditë më pas, gazeta pyeti klubet dhe me përjashtim të presidentit të Laçit, Pashk Laska, dhe disi edhe të shefit të klubit të Luftëtarit, pjesa tjetër e klubeve nuk kishin asnjë dijeni për këto të ardhura vjetore.

Më 4 nëntor, FSHF-ja doli me një komunikatë, ku konfirmonte lajmin e “Panorama Sport” dhe ftonte klubet shqiptare që të tërhiqnin shumën prej 54 mijë eurosh për sezonin 2014-2015 (Skënderbeu ishte përjashtuar nga përfitimet sepse kishte shkuar deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës). Pastaj asgjë e re…

Gazeta u interesua sërish dhe, pasi hulumtoi imtësisht mbi Fondin e Solidaritetit, konfirmoi se është një shumë parash e akorduar që prej sezonit 2001-2002 e në vazhdim dhe në rritje të vazhdueshme. Por është e paqartë nëse këto para kanë shkuar në destinacion, pra në përmirësimin e infrastrukturës së akademive, apo nëse kanë shkuar diku tjetër.

1
23
45

FSHF-ja heziton të kthejë një përgjigje

Duke parë interesin e madh që ka kjo çështje dhe për të qenë sa më transparent me publikun, por edhe me institucionin e futbollit, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi dje me zyrën e shtypit dhe me sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, për të marrë një informacion në lidhje me Fondin e Solidaritetit. Nuk pati asnjë përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që për të sqaruar opinionin publik, FSHF të mund të mbajë sot një qëndrim në lidhje me këtë rast. Bëhet fjalë për një shumë parash të madhe (afro 4 milionë euro), që në këto kohë të vështira financiare klubeve do t’u kishte bërë shumë punë.

DENIS MEÇO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"