Nga Saka te Foden, yjet më vendimtarë të Premier Ligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2024 | 9:35

Nga Saka te Foden, yjet më vendimtarë të Premier Ligës

Edhe skuadrat më të mira, të krijuara dhe të formuara në një sistem të veçantë taktik që sjell më të mirën nga yjet e tyre më të mëdhenj, kanë lojtarët e tyre që bëjnë diferencën. Është futbollisti që shënon apo asiston ndërsa kronometri shënon sekondat e fundit dhe shanset për të fituar një apo tri pikë zbehen çdo sekondë që kalon, bashkë me shpresat për mbijetesë, një vend në Ligën e Kampioneve ose kurorën e titullit.

Arsenal FC v Manchester City - Premier League

Sidomos tani, që jemi në javët e Premier Ligës kur rezultatet janë më domethënëse dhe kur lojtarët e mëdhenj ngjiten në katedër për skuadrën e tyre dhe justifikojnë çmimet shpesh marramendëse që qarkullojnë vazhdimisht brenda kokës së tyre. Kol Palmer për shembull, i tregoi Mançester Junajtid dhe Garet Sauthgejtit se sa jetik mund të jetë ai në sekondat e fundit të një loje, duke shënuar në minutat e 100-të dhe të 101-të dhe përmbysur rezultatin 4-3 në favor të Çelsit javën e kaluar.

“Opta” ka publikuar statistikat e lojtarëve të çdo skuadre në Premier Ligë që kanë kontribuar në më shumë gola dhe asiste për të siguruar një barazim apo avantazh të skuadrës së tyre gjatë ndeshjes. Bukajo Saka është njeriu më deciziv i Arsenalit me 13 momente kyçe, me 6 gola që i kanë dhënë avantazhin “topçinjve” dhe 5 asiste që kanë çuar në avantazh skuadrën. Ai ka shënuar dhe një gol barazimi dhe dhënë një asist barazimi. Ndërsa njeriu më vendimtar i Sitit nuk është golashënuesi më i mirë, Erling Haland, por Fill Foden. Ai ka shënuar 6 gola avantazhi në 14 aktet që kanë ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Por dy skuadrat që kanë më shumë lojtarë vendimtarë në këtë klasifikim janë Çelsi dhe Liverpuli, me Palmerin dhe Salahun që respektivisht kanë shënuar 18 momente kyçe këtë sezon me golat dhe asistet e tyre. Ish-talenti i Mançester Sitit e ka dërguar Çelsin në avantazh 10 herë dhe barazuar 3 herë, mjaftueshëm për t’u renditur në vend të gjashtë në listën e lojtarëve më decizivë në Premier Ligë këtë sezon, bashkë me tre asistet e tij për golat e avantazhit dhe një tjetër që barazoi rezultatin. Ndërsa Salah, i cili ka qenë shumë herë heroi për skuadrën e Klopit këtë sezon, ka gjithashtu 18 momente kyçe këtë sezon. Egjiptiani ka shënuar 7 gola avantazhi, ndërsa 4 gola të tij kanë barazuar rezultatin dhe 4 asiste kanë sjellë avantazhin. Ndërkohë tre asiste kanë barazuar rezultatin.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"