Nga gjykimi te ngjitja, flet portieri i Flamurtarit. Plani i Teqjës: T’i afrohemi kreut para… pushimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 16:55

Nga gjykimi te ngjitja, flet portieri i Flamurtarit. Plani i Teqjës: T’i afrohemi kreut para… pushimeve

Aldo Teqja ka një plan dhe shpreson që ai të realizohet brenda këtij viti. Kur janë për t’u luajtur edhe pesë ndeshje deri në fund të dhjetorit, portieri pret që Flamurtari të rikuperojë pikë në renditje dhe afrohet më shumë kreut. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 28-vjeçari analizon ecurinë e ekipit pas fazës së parë. Sheh rritje në lojë, por tashmë kërkon kujdes maksimal.

teqja

Duke folur për kundërshtarët, ai thekson se rival kanë vetëm veten e tyre. Ndalet te pjesa e gjykimit dhe i mëshon faktit që ndaj tyre është gabuar, por uron vetëm që ato të kenë qenë njerëzore.

Flamurtari sikur është futur në rrugën e duhur dhe zyrtarisht e ka shkurtuar diferencën me vendet që të çojnë në elitë. Besoni te kjo vazhdimësi?

E vërtetë, kemi pësuar rritje. Dihet se çfarë kërkojmë ne dhe besoj fort se ne do të vazhdojmë me këto ritme. E them këtë duke parë edhe situatën pozitive në skuadër dhe dëshirën e madhe të të gjithëve për të dhënë maksimumin. Shpresojmë që para pushimeve dimërore të jemi sa më afër me kreun.

Të mërkurën prisni Luzin 2008. Çfarë pret Aldo nga kjo ndeshje?

Duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë” dhe të japim maksimumin, sepse çdo ekip sot të hap probleme. Nga ndeshja e radhës presim vetëm fitore. Në fushë hyjmë vetëm për tri pikët. Nuk shohim kush është kundërshtari i radhës, por ne jemi të uritur për të grumbulluar sa më shumë pikë dhe vlerësimin e kemi maksimal për cilëndo skuadër që kemi përballë. Duhet të fitojmë çdo ndeshje që e luajmë në shtëpi dhe nuk duhet të gabojmë.

Cili është kundërshtari që duhet pasur frikë në këtë sezon?

E kam thënë edhe më parë, dhe dua ta përsëris, që ne të vetmin kundërshtar kemi veten tonë.

Kemi luajtur me të gjitha ekipet deri tani dhe nuk besoj se na ka dominuar ndonjë. Ndaj kundërshtar kemi vetëm veten. I druheni gjykimit gjatë gjithë këtij kampionati? 

Thjesht kërkoj që të jenë gabime njerëzore dhe jo të qëllimshme veprimet e gjyqtarëve. Uroj dhe shpresoj që të mos na penalizojnë në pikë dhe në renditje.

A e ka një pikë të fortë ky grup?

E përmendët vetë, pika më e fortë e kësaj skuadre, është grupi i bashkuar. Vetëm kështu do të vazhdojmë përpara. Harmonia me stafin dhe me njëri-tjetrin do të na bëjë që të ecim përpara dhe të arrijmë më të mirën dhe atë që ne duam.

U bënë disa muaj që nga momenti që iu bashkuat kuqezinjve. Si ndiheni në Vlorë?

Në Vlorë ndihem shumë mirë. Jemi më të qetë tani edhe nga pjesa e turistëve, sepse nuk ka më aq shumë. Është kthyer normaliteti në qytet.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"