Nga Frashëri te Plaku, Nexhipi: Ja e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 9:19

Nga Frashëri te Plaku, Nexhipi: Ja e vërteta

Pas Sebino Plakut që u gjobit me 4 mijë euro për shkak se humbi avionin, klubi i Kukësit duket se është krisur edhe me portierin Stivi Frashëri, pavarësisht se mohohet gjithçka. Dje në paradite, teksa skuadra u nis drejt Elbasanit, aty ku do të grumbullohej në prag të ndeshjes ndaj Torpedos, portieri nuk u pa në autobus.

nexhipi

Në klubin verilindor i treguan gazetës se bëhet fjalë për një dëmtim, por mungesa duket se është e veshur me shumë mistere. Gjasat janë për një gjobë ndaj Frashërit, por në daljen para mediave, drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi sqaroi versionin që sipas tij është i vërteti në këtë mes. Gazeta kontaktoi edhe vetë Frashërin, por ky i fundit nuk pranoi të prononcohej. “Sa i përket Frashërit, informova trajnerin më parë, sepse e di që  ai nuk merret me këto gjëra para ndeshjes apo me atë se çfarë thonë mediat. Pashë që janë shkruar gjëra që nuk janë aspak të vërteta dhe është një demontim të themi, sepse Frashëri ka pasur një lëndim para disa javësh. Pas asaj që kemi kaluar në Gjeorgji po flitet për gjëra që nuk na shërbejnë fare neve si ekip. Frashëri nuk është me ne në grup, pasi ka një dëmtim në gju. Kjo është e gjitha dhe nuk ka pse aludohet për mungesën e tij”, sqaroi Nexhipi.

SULMUESI DHE NDESHJA Drejtori i Kukësit foli dje edhe për çështjen e sulmuesit Sebino Plaku, i cili është gjobitur për shkak se humbi avionin në kthim nga Azerbajxhani, kur skuadra verilindore luajti ndaj Karabak dy javë më parë. Nexhipi sqaroi edhe kontratën me lojtarin. “Plaku është afruar te ne dhe ka kontratë vetëm për Kupat e Europës. Nuk do kisha dëshirë të flisnim sot (dje) para një ndeshjeje kaq të rëndësishme për gjërat personale të klubit me lojtarët”, deklaroi Nexhipi, ndërsa u pyet edhe për të ardhmen e kapitenit Shameti. “Ylli ka kohë në klubin tonë dhe këto gjëra do t’i diskutojmë pas ndeshjes. Më me rëndësi tani është ndeshja që kemi dhe duhet të përqendrohemi te kjo përballje”, shtoi drejtori. Në fund, ai dha një mendim edhe për ndeshjen. Ashtu si trajneri Armando Cungu, edhe Nexhipi beson se me pak fat, Kukësi mund të bëjë mrekullinë kundër Torpedos. “Kemi punë të madhe përpara dhe në futboll nuk ka gjë të pamundur.

Nexhipi 2

Nëse futemi në ndeshje si jemi përgatitur deri më tani, besoj që me atë teorinë e kompensimit mund të ndryshojnë gjërat. Shpresoj të flasim më tepër për ndeshjen në fushë edhe të kemi fatin që kishin gjeorgjianët ndeshjen e parë, përfundoi Nexhipi, i cili doli në konferencën e djeshme për shtyp në krah të trajnerit Cungu, si për të konfirmuar se mes tyre nuk ka asnjë krisje, paçka se deklarata e kreut të pankinës tronditi jo pak ambientin pas humbjes në Gjeorgji. Një kualifikim i mundshëm, sot mund të ndryshojë për mirë shumë situata në klubin verilindor.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"