“Nëse jam unë problemi, të ma thotë Duka”, Reja shpërthen: Kur nuk shënojnë, të hyj unë ta fut me dorë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 0:35


“Nëse jam unë problemi, të ma thotë Duka”, Reja shpërthen: Kur nuk shënojnë, të hyj unë ta fut me dorë?

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka deklaruar se ekipi nuk i është përgjigjur si duhet në periudhën e fundit. Pas sfidës, ai deklaroi për “SuperSport” se situatat kishin qenë shumë të ndryshme që kishin ndikuar në këto rezultate.

bandicam 2022-09-27 23-22-15-212

“Pas pak kohe që ishim në superioritet, qarkulluam topin dhe e bëmë. Bëmë 22 gjuajtje nëse nuk finalizojmë pastaj, ata janë të fortë fizikisht, kishim shumë dëmtime, edhe dje. Sot ishin Gjasula, Ismajli, kishim 6-7 lojtarë të rëndësishëm që mungonin. Kush luajti dha shpirtin, mjaftonte diçka më shumë në fund, e dinim që ishin të fortë, mjaftonte të kishte pak vëmendje. Gjasula dhe Ismajli me kokë kapin gjithçka dhe ishim në vështirësi. Të vjen keq që të humbësh një ndeshje të tillë, është shumë keq. Kur je në avantazh, kishim mundësi që të mbyllnim ndeshjen, nuk ia dolëm, dhe duhet të kërkojmë ndjesë, përfshirë edhe nga unë.

Duke filluar nga Islanda jemi rritur, por në periudhën e fundi nuk kemi qenë ne, në krahasim me rritjen që kishim në këtë periudhë. Të gjithë, edhe unë, nuk më ka pëlqyer vetja, ekipi. Kemi bërë shumë gabime. Ne kishim më parë lojtarë të fortë fizikisht, mora Ajetin, mbrëmë me temperature. Sot u dëmtua Ismajli. Ishte masakër e plotë, kishim mungesa. Ata që luajtën, kanë bërë të tyren, por ndonjë mangësi e kishim, kemi bërë një reagim të mirë, por në periudhën e fundit ekipi nuk u përgjigj ashtu siç e prisja.

Pasi u vra Gjasula, bëmë ndryshimet dhe u dëmtua Ismajli, ndaj përfunduam me 10. Janë situata që nuk shkojnë dhe më vjen keq për justifikimet. Kishim mundësinë që ta mbyllnim kur ishin 1-0 dhe ata na kapën një minutë para fundit.

E ardhmja? Nuk e di, nuk mund të dihet se çfarë ndodh, fati im është në duart e presidentit. Unë kam kontratë deri në nëntor, pastaj do të takohemi ndoshta këtë javë dhe do të flasim e gjejmë një zgjidhje. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë, kemi ndërtuar një ekip të mirë, jemi ngjitur në kategori. Kemi bërë edhe paraqitje të mira. Të gjithë, edhe unë, në periudhën e fundit, nuk kemi dhënë atë që mund të jepnim, edhe pse kishim shumë mangësi të rëndësishme lojtarësh ekspertë. Kishim 7-8 lojtarë që mund të cilësohen titullarë. Megjithatë, të mos gjejmë justifikime, kam gjetur të rinj se tani duhet bërë bilanci dhe të shohim cilët janë lojtarë funksionalë për ekipin dhe në këtë pikë duhen bërë zgjedhje.

Nuk ka asnjë peng, kemi bërë një punë të shkëlqyer, kemi krijuar një grup të shkëlqyer. Nuk kërkoj justifikime, marr përgjegjësi se trajneri merr përsipër fatet e ekipit. Kur nuk ka rezultate, jam i pari që jam fajtor. Por ka disa rrethana që dolën se kisha vështirësi të mëdha. Sot për shembull, Bajrami kishte ndonjë problem, Gjasula kishte probleme, Abrashi nuk ia dilte se më kërkoi të ndryshonte. Kur nuk ke 4-5 lojtarë që nuk funksionojnë, kemi mangësi. Për të kundërshtuar Islandën, duhet të kesh prani fizike, kur ke shumë të dëmtuar, problemet janë. Nëse jam unë problemi, presidenti të ma thotë se nuk ka probleme. Por kam ndërgjegjen e pastër se kam punuar me seriozitet dhe sakrificë. Unë marr përgjegjësinë, nuk kam probleme, kam pranuar shumë situata, nuk kam folur. Kam marrë kritika të drejta e të padrejta, kjo është puna jonë. Nuk më interesojnë kritikat. Por rezultatet nuk erdhën, për një arsye apo tjetër kanë ndodhur situata që nuk arrij t’i kuptoj. Kemi pasur vështirësi, kemi vuajtur. Kemi bërë paraqitje të mira e rezultate. Sot kishim mbi 20 gjuajtje në portë, e bëmë një gol. Është e pamundur. Kur je në avantazh duhet të mbyllësh ndeshjet. Kur ke aftësitë, kur nuk i ke, këto janë situata, ka mangësi individuale, përtej fajit tim. Nëse del para portës e nuk shënon, nuk mund të futem unë e të shkoj ta fut me dorë.  Ata me dy gjuajtje bënë gol. Ata bënë 5 gjuajtje, 4 në portë. Ne 4 në 21. Ne kishim shumë mundësi për të mbyllur ndeshjen. Nëse nuk kemi mundësi ta fusim, kemi vështirësi, e kotë të themi kemi ekip apo jo. Ne kishim lojtarë me prani fizike që nuk ishin. Në lojën ajrore kemi vështirësi. Duhet të vlerësoni me vëmendje ndeshjet e duhet t’i lexoni. Jemi këto, duhet përmirësuar ky aspekt, sidomos në vëmendje”.

PANORAMASPORT.AL