Në Rrogozhinë lënë pas krahëve humbjen me kampionët, duan të përfitojnë nga kriza e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 16:22

Në Rrogozhinë lënë pas krahëve humbjen me kampionët, duan të përfitojnë nga kriza e Partizanit

Humbja ndaj Teutës nuk është bërë dramë në Rrogozhinë. Të gjithë e vunë re se skuadra gjatë 90 minutave ishte e saktë në veprime, por për t’u veçuar janë rastet e brazilianit Pedro që nuk ishte një ditë të mirë. Ndaj durrsakëve Egnatia ishte e pafat duke mos shënuar në momentet që iu dha mundësia. Parashikimi ndaj Teutës ishte për një tjetër trepikësh, po nuk shkoi si duhet. Aq më tepër që trajneri Magani bëri të pamundurën me zëvendësimet. Momenti i pësimit të golit me penallti, sipas klubit rrogozhinas, ishte diskutuar në tërësi.

Egnatia

Edhe mungesat e Teqjes në mbrojtje, Agbekpornus në mesfushë që pas operimit do të mungojë disa javë, si dhe Artur Magani në sulm ndikuan te ecuria. Mendohet që në vijim të bëhet kthesa e rezultateve dhe përligjja e investimit të kryer. Në fundjavë luhet ndaj Partizanit në kryeqytet, ku pa dyshim do të kërkohet që të mos dalin pa pikë nga ky duel.

Pas pushimit të se dielës, Egnatia nga mesdita e djeshme ka nisur javën stërvitore për “demat e kuq”. Aerobitë, ushtrimet e lehta me dhe pa top kanë qenë objektiv i stafit në seancën e parë. Para nisjes së përgatitjeve ka pasur edhe diskutime në lidhje me humbjen me Teutën. Presidenti ka kërkuar përqendrimin nga ekipi dhe pret përmirësim nga java në javë. Titullarët e skuadrës kanë shprehur besim se i kanë mundësitë reale për më mirë çdo herë. Për momentin, te rrogozhinasit shqetësim mbetet dëmtimi i Agbekpornus, që pritet të mungojë gjatë. Ndërsa mbrojtësi Teqja dhe Artur Magani janë në fazën e riaftësimit total dhe pritet të rikthehen shumë shpejt.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"