Në mes të katër rrugëve, lojtarët e Kamzës bëjnë apel: Presim të paguhemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2019 | 18:11

Në mes të katër rrugëve, lojtarët e Kamzës bëjnë apel: Presim të paguhemi

Në mars të këtij viti, dhuna e paprecedent ndodhi në Kategorinë Superiore, teksa drejtues dhe tifozë të Kamzës goditën kryesorin Eldorian Hamiti në përfundim të përballjes me Laçin. Rast i cili u ndëshkua në mënyrë drastike nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, me zbritje në Kategorinë e Dytë dhe përjashtim nga të gjitha garat futbollistike për këtë sezon.

stojku kamza

Po futbollistët? Po rrogat e tyre? Po e ardhmja e atyre që në fushë nuk ishin fajtorë, përkundrazi tentuan që të mbrojnë arbitrat kundrejt dhunës? Çfarë ndodh me ta, teksa klubi i Kamzës nuk ka bërë as ankimim të vendimeve të Disiplinës? Ilir Abdyli, portieri që kishte dy sezone që luante me Kamzën dhe u shndërrua në një nga gardianët e spikatur, ka komentuar situatën me kontratën dhe të ardhmen e tij.

“Dhuna ka qenë diçka që nuk duhet të ndodhë në asnjë rast, e dinë të gjithë këtë. Si pasojë e saj ka ardhur një dëm shumë i madh. Mendoj se ka qenë një rrugë e gabuar ajo që ka ndjekur presidenti dhe kryesia e Kamzës pas ndeshjes. Kemi kohë që jemi pa stërvitje dhe pa përgatitje javore. Kjo na ka lënë shumë mbrapa. Kam nisur stërvitjen në Kosovë me ‘Kek-U’-n, përgatitem rregullisht, por kur mungon ndeshja e fundjavës, është mungesë e madhe. Kontrata përfundon më 31 maj 2019. E kam lajmëruar edhe klubin edhe federatën. Rrogat e prapambetura na takojnë dhe do të ndjek procedurat në federatë, pastaj do të përballem me gjyqin.

Do bëjmë kërkesën në DHZK dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kisha paraqitje të mira dhe isha në bisedime konkrete me dy skuadra shqiptare, por mendova që të vazhdoj me Kamzën vetëm se po merrja minuta. Mbase në qershor mund të bëhem me skuadër. Na ka penalizuar të gjithëve. 25 lojtarë dhe 25 familje që mbahen nga ajo pagë e futbollistit. Kjo na ka prekur të gjithëve, si në anën materiale edhe në atë profesionale”, ka deklaruar Avdyli për “RTSH Sport”.

JAPONEZI – Shqetësim të madh ka edhe japonezi Masato Fukui, i cili ka nisur përgatitje individuale. “Po vazhdoj të stërvitem individualisht dhe kam folur me avokatin tim për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me kontratën që kam me Kamzën. Si unë, edhe shokët e tjerë të skuadrës jemi dëmtuar shumë nga kjo ngjarje, pasi na është mohuar e drejta për të treguar vlerat tona në pjesën e mbetur të kampionatit.

Është shumë e vështirë për një lojtar që të qëndrojë 3 muaj pa luajtur dhe pa u stërvitur, pasi në sezonin pasardhës nuk ke mundësi të jesh në formën e duhur. Në këtë mënyrë, vihet seriozisht në dyshim vazhdimësia e karrierës. Jam interesuar në federatë për çështjen time dhe nuk kam marrë zgjidhje. Kam pasur oferta nga të tjera ekipe, kur Kamza u dënua, por federata nuk më lejoi që të nënshkruaj. Ngjarja nuk duhet të ndodhte sepse gjykimi nuk ndikoi as në kohën shtesë, as në penalltinë. Hamiti dha vendime të drejta”, shprehet Fukui.

ORJAD BEQIRI – Një tjetër futbollist me shumë eksperiencë si Orjad Beqiri tregon problematikën që ka hasur ai dhe shokët e tjerë të skuadrës te Kamza. “Situata jonë dihet. Ka gati një muaj e gjysmë që nuk stërvitemi më me ekipin, që kur u dha vendimi për përjashtimin nga Kategoria Superiore. Secili nga lojtarët po bën përgatitje individuale.

Kontrata ka dalë jashtë përdorimit dhe nuk funksionon më. Kur mbaroi kampionati për ne, që nga ajo kohë as paguhemi dhe as përgatitemi. Ajo që ndodhi në atë ditë, nuk duhet të ndodhë në asnjë lloj fushe. Dëmin më të madh e morëm ne futbollistët duke mos luajtur futboll, duke mos u stërvitur dhe mbi të gjitha që ne mbajmë familjet me këtë, e cila është punë për ne. U bënë shumë kohë pa u paguar”, ka treguar Beqiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"