Në Krujë janë të “dërrmuar”, por tek Kastrioti nuk dorëzohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2019 | 20:48

Në Krujë janë të “dërrmuar”, por tek Kastrioti nuk dorëzohen

Fitorja e së dielës ndaj Teutës ndoshta ka qenë më e hidhura për Kastriotin në këtë sezon futbollistik. Pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit Laver Alla, vend për festë nuk kishte. Askush nuk u pa të gëzonte dhe kjo është e kuptueshme pas lajmeve që erdhën nga Laçi.

kastrioti

Trepikëshi që Tirana mori ndaj kurbinasve, thuajse i çon krutanët në Kategorinë e Parë dhe tashmë vetëm një mrekulli mund që t’i mbajë në elitë. Nga i pari tek i fundit u panë të “dërrmuar” psikologjikisht, me disa që e ndienin shumë këtë që po i ndodhte skuadrës, e cila ka grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip tjetër në 2019-ën, me përjashtim të Partizanit.

Një skuadër që mbase nuk e meritonte këtë ndëshkim, por “gropa” e krijuar në dy fazat e para nuk mbyllej dot, nuk u mbyll dot as nga ecuria mbresëlënëse. Drejtuesit, lojtarët, por edhe trajneri Devolli nuk pajtohen me këtë verdikt, e megjithatë ky është futbolli. Pas një dite pushimi, ekipi do të zbresë sërish në fushë ditën e sotme, ndonëse mundësitë për të shpëtuar janë minimale. Gjithsesi, Kastrioti do të bëjë të tijën, mbase ajo pak shpresë që ka mbetur mund të shpërblehet.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"