Në gjurmët e Tiago Silvas, Ramos: Ardhja te Skënderbeu, zgjedhja më e mirë. Gvozdenoviç më mësoi rolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 15:27

Në gjurmët e Tiago Silvas, Ramos: Ardhja te Skënderbeu, zgjedhja më e mirë. Gvozdenoviç më mësoi rolin

Skënderbeu po kalon një moment të mirë në këtë sezon dhe rezultatet i japin të drejtë korçarëve sa i përket ecurisë pozitive dhe objektivave. Në një situatë të tillë duket se mbrojtësi brazilian, Markos Ramos, ka gjetur veten në ekipin bardhekuq.

ramos gvozdenovic

Nga një aventurë në ligat inferiore të futbollit shqiptar, është kthyer në një pikë të rëndësishme të korçarëve. Për Ramos, kalimi tek Skënderbeu ishte një hap i madh. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi latin tregon gjithçka rreth kësaj aventure.

“Kalimi te Skënderbeu në fillim të sezonit për mua ishte një ëndërr. Do të luaja në futbollin elitar të Shqipërisë dhe kjo më emociononte mjaft, por nga ana tjetër edhe më motivonte për të dhënë gjithmonë maksimumin, pasi nuk doja ta çoja dëm këtë eksperiencë. Që në ditët e para të ardhjes këtu, ndjeva se kisha të bëja me një klub profesionist dhe kjo më ndihmoi shumë në përshtatjen me ambientin.

Te Skënderbeu jemi si një familje dhe angazhimi është maksimal. Kujtoj se sapo mbërrita në Korçë ekipi në krijoi ngrohtësinë që çdo lojtar i ri do ta dëshironte. Çdo ditë komunikoja me trajnerin, nga i cili mësoja shumë duke qenë se ka luajtur në rolin tim dhe u mundova ta vija në shërbim të rritjes profesionale. Pas kaq muajsh, ndjej se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht tek unë. Ndaj e them me bindje se kalimi te Skënderbeu ishte një hap i rëndësishëm në karrierën time”, tha fillimisht Ramos.

ECURIA – Sa i përket ecurisë të këtij sezoni, Ramos e konsideron si pozitive, përtej disa momenteve që i ka vuajtur nga ky kampionat. “Ecuria e ekipit në këtë sezon deri në këto momente është pozitive. Jemi një grup i ri dhe kemi mundur të marrim maksimumin në këtë rrugëtim. Normalisht që një kampionat i gjatë ka edhe momente jo pozitive të cilat ende i vuaj. Më dhembin shumë rastet kur pësojmë gol dhe mbi të gjitha kur ndëshkohem me karton”, vijoi braziliani.

AMBICIET – Natyrisht si çdo futbollist, edhe Ramos e ka një shembull që kërkon ta ndjekë dhe mbi të gjitha një pikë referimi sa i përket të ardhmes. Për të, Skënderbeu është një mundësi e artë, që nuk i vjen çdokujt, ndaj kërkon të përfitojë sa më shumë të mundet. “Si një mbrojtës, mund të them që motivimi im është Tiago Silva. Ai është modeli im”, përfundoi Ramos prononcimin e tij për gazetën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"