“Në Berat shënojnë edhe mbrojtësit”, Shaqe: Besa na “vodhi”, mungojnë dy penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 23:20

“Në Berat shënojnë edhe mbrojtësit”, Shaqe: Besa na “vodhi”, mungojnë dy penallti

Mbrojtësit u japin “leksione” sulmuesve. Edhe pse ishte mesfushori Lauren Ismailaj ai që hapi serinë e golave, dy të tjerët patën firmën e Klevis Shaqes dhe Kledis Hidës. Edhe pse patën punë të madhe në qendër të prapavijës, ata i erdhën në ndihmë edhe ofensivës.

shaqe

Vetëm një ditë pas përfundimit të ndeshjes së barazuar me Besën, një nga protagonistët foli autori i rrjetës së dytë. Ai ka analizuar me detaje atë që ngjau në fushë, polemikat dhe nuk ngurroi që të fliste edhe objektivat. Gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, Klevis Shaqe ndalet gjatë edhe te gjykimi. Ai akuzon se u erdhën në ndihmë miqve dhe pikën që kavajasit e morën e quan “vjedhje”.

“Goli i shënuar prej meje, është produkt i lojës kolektive që zhvillojmë si skuadër. E megjithatë, nuk mund ta mohoj se edhe kërkoj. Dëshirën e madhe që kam për të shënuar, më bën që të shoh përpara. Krahas detyrave të zbatuara në repartin e prapavijës ku aktivizohem, më josh sulmi.

Kjo është rrjeta e parë zyrtare në këtë kampionat, ndaj të cilin ia dedikoj jo vetëm familjes sime, por edhe tifozërisë beratase që më mbështet jashtëzakonisht. Tani dua që të ndalem çik më gjerësisht tek ajo që ndodhi. Të jem i sinqertë, barazimi nuk na kënaq aspak. Edhe pse ai është arritur nëpërmjet sakrificave të mëdha. Kjo, pasi kishim tërësisht kundër gjykimin që na provokonte dhe nervozonte si ne në fushë, ashtu edhe drejtuesit dhe tifozerinë tonë.

Të paktën të na jepte një nga dy penalltitë që na ka mohuar pa të drejtë. Po të luhej në kushtet e një futbolli normal dhe me gjykim objektiv, Besës do t’i kishim dhënë një mësim të mirë dhe fitorja jonë do të ishte me gola diferencë. Pa e tepruar, them me bindje se kavajasit e kanë ‘vjedhur’ pikën në Berat”, ka mbyllur mbrojtësi korçar i Tomorit.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"