Në Berat fantazojnë ngjitjen direkte, Arbëri ul euforinë: Objektivi ynë, faza “play off”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2023 | 0:10

Në Berat fantazojnë ngjitjen direkte, Arbëri ul euforinë: Objektivi ynë, faza “play off”

Në Berat kanë filluar me llogaritë. Pas mundën Dinamon në transfertë dhe kapën vendin e gjashtë, entuziazmi është në “maja”. Kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i krejt garës, te Tomori janë rindezur shpresat për… elitën.

TOMORI

Dhe jo ndërmjet fazën “play off”, por nga dy vendet e para. Duket pak e tepruar, por matematika ua lejon që të ëndërrojnë. Janë -9 nga Skënderbeu dhe -8 nga Flamurtari dhe në kamp mendojnë se janë totalisht të rikuperueshme. E megjithatë, për të “frenuar” fantazinë e lojtarëve dhe tifozëve mendon Klodian Arbëri.

Gjatë një bisede me “Panorama Sport” trajneri pranon me modesti, se skuadra që drejton ka si objektiv parësor renditjen në gjashtë skuadrat e para të kampionatit. “Pas fitores me Dinamon dhe rikthimit pas disa javësh në vendin e 6-të, unë dhe lojtarët jemi ndeshur me një kërkesë. Dashamirës dhe emra të njohur të futbollit beratas, mendojnë se kemi mundësi të tentojmë ngjitjen direkte. Matematika na e lejon në fakt dhe mua si trajner më vjen mirë që na vjen kjo dozë motivimi. Duhet patjetër të na injektojnë për vazhdimësinë.

Sidoqoftë, duhet jemi me këmbë në tokë dhe jemi realistë. Vërtet matematika na ka futur në lojë dhe na i jep këtë mundësi, por unë nuk dua të jemi euforikë, edhe pse e di shumë mirë që skuadra që drejtoj meriton të jetë në tri më të mirat e kampionatit për shkak të organikës cilësore që disponojmë. Tomori ka si objektiv primar renditjen në gjashtëshen e parë dhe llogaritë për ngjitjen do t’i bëjmë vetëm në fazën ‘play off’.

E thënë më shkoqur nuk duhet të shkojmë kaq larg në parashikime, por të pretendojmë mundësisht vendin e gjashtë. Sigurisht që kjo nuk duhet të kuptohet, se Tomori do të kënaqet vetëm me këtë objektiv, por javë pas jave do të konsiderojmë si finale çdo ndeshje, ku përjashtim nuk bëjnë as skuadrat që presim në fushën tonë, për të mos thënë që në ballafaqimet direkte me skuadrat e dy vendeve të para, ne do të luajmë gjithçka për gjithçka”, përfundoi Arbëri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"