Ndeshja ndaj Egnatias, Ndreu: Duhen patjetër tri pikë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2021 | 9:26

Ndeshja ndaj Egnatias, Ndreu: Duhen patjetër tri pikë!

Kastrioti-Egnatia ngre siparin e javës së 13-të, teksa do të luhet të dielën në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës. Trajneri Ramazan Ndreu, në prononcimin për “Panorama Sport”, shprehet se është momenti për të marrë tri pikët. Ai flet për golat e shumtë të pësuar, por edhe për merkaton, duke zbuluar pozicionet ku skuadra pritet të forcohet.

NDREU

Nëntë gola të pësuar në dy ndeshje, sa shqetësuese është për ju?

E kemi thënë shpesh që jemi në momente jo të mira. Mungesat e shumta ta ulin nivelin e lojës, por edhe në aspektin psikologjik nuk jemi mirë, ndaj edhe marrim gola shumë. Në dy ndeshjet e fundit kishim përballë dy vendet e para të renditjes, Tiranën dhe Kukësin, të cilat kanë cilësi. Megjithatë, unë mendoj se gjithçka ka kaluar dhe tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës.

E radhës përballë Egnatias, sa e rëndësishme është për ju kjo ndeshje?

Është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme. Është një ndeshje që në njëfarë mase përplasemi me një skuadër që është më afër nesh, ndaj do të mundohemi të japim maksimumin për të marrë 3 pikët që do të na jepnin pak oksigjen.

Është kjo sfidë vendimtare që duhet fituar me çdo kusht?

Nëse do të mendojmë që do të kapim skuadra kjo është. Po e fituam këtë ndeshje, do të rikthehemi aty ku duam. Ky takim merr rëndësi të veçantë dhe do të punojmë shumë në aspektin psikologjik, që të paktën deri në mbyllje të vitit, të mos marrim sa më tepër pikë.

Si jeni me kontigjentin për këtë ndeshje?

Mezi presim që këto tri ndeshje të marrim maksimumin e pikëve dhe të përfundojë, pasi kemi shumë mangësi. Edhe këtë javë kemi në dyshim dy lojtarë. Jemi një ekip me kontigjent të cunguar dhe kemi nevojë emergjente për të ndërhyrë në merkato, ndaj shpresoj që të marrim sa më shumë rezultate pozitive dhe të jemi gati për merkaton.

Keni planifikuar se ku do të ndërhyni në merkato, cilat reparte kanë nevojë për përforcime?

Momentalisht ne kemi nevojë që të forcohemi në të gjitha repartet. Nevoja emergjente është që më e pakta të marrim 3-4 lojtarë cilësorë dhe besoj që do t’i mbyllim marrëveshjet shumë shpejt me ta.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"