“Ndeshja më e bukur”, ish-trajneri Memushi “skanon” fitoren ndaj Elbasanit: Flamurtar super, në garë futen me dy transferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 22:10

“Ndeshja më e bukur”, ish-trajneri Memushi “skanon” fitoren ndaj Elbasanit: Flamurtar super, në garë futen me dy transferta

Eqerem Memushin e kënaq fitorja e Flamurtarit me Elbasanin. Ish- trajneri thekson se ishte ndeshja më e bukur e luajtur në Vlorë.

eqerem memushi

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Memushi tha se ndeshjet me Burrelin dhe Korabin do të jenë vendimtare për të kapur kreun dhe nuk duhet të gabohet. Ish-trajneri i njohur shikon një skuadër me kualitete, sidomos me afrimet e Bejit dhe Sidibes. Memushi mendon se deri në fund do të luftojnë Flamurtari, Elbasani dhe Bylis.

Flamurtari mundi Elbasanin dhe futet në “valle” për ngjitjen. Ju bindi ekipi?

Më bëhet qejfi shumë dhe sa mirë që fituan. Një bravo e madhe për skuadrën. Unë e ndoqa nga afër ndeshjen në stadium. Luajtën shumë mirë. Për mua ishte ndeshja më e bukur që kemi parë në Vlorë.

E prisnit këtë paraqitje dhe rezultat?

Unë e prisja, pasi gjithmonë Flamurtari kur përballet me kundërshtarët direktë është i mobilizuar dhe i karikuar. Gaboi me Ballshin dhe nuk e përsëriti përballë Elbasanit. Mendoj se meritoi plotësisht fitoren.

Do ta gjejnë vlonjatët vazhdimësinë edhe në shënimin e golave, pasi kanë çaluar jo pak?

Unë mendoj se me ardhjen e dy lojtarëve cilësorë Andoni Beji dhe Lancinet Sidibe, ekipi është më i fortë dhe më me besim. Ecuria jonë konkretisht është për të arritur të parat e klasifikimit. Fati i keq për skuadrën është se ne marrim pikët, por edhe ekipet që na ndjekin kanë fituar dhe kemi të njëjtën distancë dhe pozicion në klasifikim. Kjo të mobilizon, por edhe të bën pak pesimist. Flamurtari aktualisht është skuadër më e mirë nga gjithë ato që ka përpara, qoftë në kualitete, por edhe si performancë.

Dy takime në transfertë, si i shikoni?

Janë dy takime me Burrelin dhe me Korabin. Këtu nuk duhet të gabojmë. Nëse ia dalim me këta kundërshtarë në transfertë, do të jemi pretendentë seriozë më pas. Fazën e mbyllim këtu me Beratin. Nëse gabojmë në një takim u japim mundësinë e shkëputjes skuadrave aktuale të kreut. Kjo është edhe vështirësia jonë. Ne luajmë në transfertë, ndërsa skuadrat që kemi përpara si Elbasani, Vora dhe Apolonia luajnë brenda. Nëse duam të ruajmë këtë ritëm, ne nuk duhet të gabojmë më.

Cilat sipas jush janë skuadrat që pretendojnë Superioren?

Pretendentë unë shikoj Bylisin, Elbasanin dhe Flamurtarin, nuk shikoj të tjera ekipe. Edhe Apolonia është një skuadër e re dhe që pritet të gabojë. Do të ketë luhatje, pavarësisht se luajnë një futboll të bukur. Do ta kenë të vështirë për të kapur treshen që përmenda më lart.

Çfarë i këshilloni Flamurtarit?

I uroj suksese dhe këto që thashë të bëhen realitet. Sa i përket ndeshjeve në transfertë, të luajnë edhe për të treguar mirënjohje ndaj kujdesit të presidentit të klubit. Nuk iu mungon asgjë. Ata janë nga ana financiare shumë mirë dhe nuk kanë probleme të tilla që të jenë poshtë me moralin. Kështu që i uroj Flamurtarit të ngjitet sa më shpejt dhe t’i bashkohet kreut.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"