Napoli i frikësuar nga udhëtimi në Spanjë, Leo Mesi vishet si alien në 1/8-at

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 18:04

Napoli i frikësuar nga udhëtimi në Spanjë, Leo Mesi vishet si alien në 1/8-at

Futbolli është një sport ekipor, por emri i Leo Mesit ngjall frikë te çdo rival. Statistikat e sulmuesit janë unike, por në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve marrin përmasa të frikshme. 14 ndeshje në këtë pikë të kompeticionit, 12 fitore dhe vetëm një humbje për yllin e Barçës, që sikur të mos mjaftonin këto, shton në tryezën e statistikave edhe 19 gola. Duke parë shifrat, Napoli mund të mendojë se nuk ia vlen një udhëtim deri në Barcelonë, aq më tepër në një territor sportiv ku “Pleshti” nuk njeh rivalë. Kur është fjala për të arritur në çerekfinale, Leo nuk gabon kurrë dhe këtë e dëshmojnë 12 kualifikimet në 12 sezonet e fundit, teksa për të parë Barçën e eliminuar nga 1/8-at duhet të kthehemi në sezonin 2006-‘07 kur Liverpuli e nxirrte jashtë turneut. 19 gola, siç thamë, janë një tregues i efikasitetit të Mesit, i cili vetëm në një rast ka ngelur pa shënuar në këtë fazë të Ligës së Kampioneve.
mesi
ALIEN – Kur mbaron faza e grupeve argjentinasi motivohet. Vjet shënonte dy herë në fitoren 5-1 ndaj Lionit, teksa edhe parvjet bënte të njëjtën gjë në suksesin 3-1 kundër Çelsit. Tre vjet më parë me Barçën realizoi një përmbysje të çmendur ndaj PSG-së, por Leo shënoi vetëm një herë në fitoren 6-1. Goditjet e sulmuesit i kanë ndjerë shumë ekipe, mes të cilave Arsenali dy herë, nga një herë Milani e Mançester Siti, teksa shpërthimin më të fortë e ka realizuar ndaj Bajer Leverkusenit, të cilit i shënoi pesë herë. Napoli paraqitet në “Camp Nou” me 1-1 e ndeshjes së luajtur në Itali dhe me dyshimet e pranisë së Insinjes. Gatuzo mund të ketë recetën për të ndaluar Mesin, por publikisht deklaron se: “Mesin nuk e ndaloja dot as kur isha 15 kilogramë më pak dhe luaja te Milani. Atë mund ta ndalosh vetëm në ‘Play Station’”. Fjalët e trajnerit detyrojnë napolitanët të kapen pas fatit, me shpresën që Mesi të shfaqet në version më pak normal në një fazë të Champions-it ku gjithmonë ka bërë jashtëtokësorin.

STATISTIKA

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"