Na mundi Spanja, apo emri i saj…?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2016 | 10:01

Na mundi Spanja, apo emri i saj…?!

DËFRIM METHASANI

 

 

Defrim Methasani

Na mundi skuadra, apo emri Spanjë? Kjo është pyetja që kemi shtruar me veten, menjëherë sapo është mbyllur ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” mes Shqipërisë dhe Spanjës, takim që stampoi humbjen e parë në këto eliminatore 0-2. Sa i takon pyetjes, mund të përgjigjemi po vetë, që na mundi emri i Spanjës. Pse themi kështu?

 

Takimi i kuqezinjve me spanjollët la vërtet shijen e hidhur jo të një humbjeje që pritej, por të një loje të dobët. Historia dhe e sotmja kanë gjithnjë një emër mes nesh, dhe ky është Spanja, por loja e dobët dhe shumë apatike, pa nerv dhe dëshirë për të luajtur na bën të mendojmë që nuk ishte një humbje përballë një kundërshtari, por ndaj një emri që duket se ngjalli panik dhe frikë.

Edhe gazeta “Panorama Sport” dje shkruante që ishte dhuratë nga ne kjo fitore e spanjollëve. Nëse sheh statistikat gjatë këtij 90-minutëshi, bindesh për këtë. Asnjëherë nuk goditëm në portë, asnjëherë nuk fituam një goditje këndore, asnjë goditje dënimi pranë zonës, asnjë rast në 90 minuta lojë, ndërsa e kontrolluam topin vetëm 30 për qind. Shifrat ishin nga më negativet në të gjitha përballjet e ekipit tonë përfaqësues vitet e fundit.

Lojtarët e Kombëtares u treguan të mefshtë, inferiorë dhe aspak të guximshëm. Të gjithë mendonin vetëm të kthenin topin pas te portieri, madje pikërisht ky gabim na ndëshkoi me golin e parë. Thuajse gjatë gjithë ndeshjes, futbollistët mendonin të largonin topin dhe asnjëherë të ndërtonin aksionet. Pak a shumë, këtë paralajmërim e morëm edhe nga trajneri në konferencat e mëparshme për shtyp, ku thuajse e deklaronte humbjen.

Po pse duhet të dorëzohesh pa kushte, akoma pa nisur lufta…?! Natyrisht që të humbësh me Spanjën nuk është fundi i botës, por të mos guxosh asnjëherë të sulmosh këtë ekip, kjo është e pafalshme. Një lojë apatike, një sulm që kurrë nuk u pa, një mbrojtje që rezistoi deri në minutën e 55-të dhe vetëm kaq. A mjafton kjo për një ekip që vjen nga finalet e një Europiani, apo më shumë se kaq për një ekip që kryeson grupin G?!

Jo pa qëllim titullin e mendova kështu, pasi ne na mundi emri dhe jo ekipi spanjoll. Shumëkush e justifikon humbjen duke thënë që ata janë yjet e botës. Por kundërshtia ime është në këtë pikë. A nuk kanë qenë yje edhe kur erdhën në vitin 1986 dhe mezi fituan këtu 1-2, madje shënuam me anë të Shkëlqim Muçës golin e parë? A nuk kanë ardhur yjet gjermane të vitit 1967 dhe barazuam këtu 0-0 duke i eliminuar nga finalet e Europianit? A nuk kanë ardhur këtu Greqia kampione e Europës dhe është mundur 2-1?

Raste e shembuj të tillë mund të numëroj me dhjetëra, por nuk dua të zgjatem dhe t’i qëndroj mendimit se skuadra jonë humbi nga emri Spanjë dhe jo skuadra Spanjë. Është hera e parë që lojtarët i kemi parë të frikësuar, të tulatur, të tërhequr dhe të gabojnë më shumë se kurrë. Edhe ndërrimet asnjëherë nuk u bënë për të menduar një sulmues si Cikalleshi, apo dikë tjetër, por për mbrojtjen edhe kur ishim në disavantazh…

Kurrë nuk e kritikojmë Kombëtaren pse humbi, por përse nuk luajti, pse nuk guxoi, pse nuk bëri të paktën një gjë të bukur në 90 minuta?! Jemi një skuadër që vijmë nga finalet e një Europiani dhe duhet të tregojmë se jo rastësisht ishim atje. Jo rastësisht jemi në krye të grupit, etj., etj…

Shiu që ra në Shkodër lagu dhe qullosi mijëra njerëz që guxuan të vinin edhe nga shumë vende të botës për të shijuar të paktën një lojë të mirë të Shqipërisë përballë Spanjës. Por e kundërta ndodhi me protagonistët e Kombëtares, që nuk guxuan t’ua kthenin me të njëjtën monedhë përmes lojës së tyre tifozëve dhe të gjithë atyre që e duan dhe e vlerësojnë këtë kombëtare.

Maqedonia, fqinja jonë që na u desh dy ditë për ta mundur, vërtet humbi në Shkup me Italinë, por guxoi dhe shënoi, luajti dhe dhuroi kënaqësi, ndërsa tanët ishin shumë larg emrit të mirë që bënë këto vitet e fundit. Shpresoj dhe uroj që ky të mbetet vetëm një stacion i gabuar, në rrugën e duhur ku duhet të kalojë Kombëtarja. Izraeli është provimi i radhës ku Kombëtarja ka vend për të bërë autokritikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"