Mziu zbulon projektin: Merkato dhe stadium për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2016 | 12:20

Mziu zbulon projektin: Merkato dhe stadium për mbijetesën

Merkato dhe stadium, është ky projekti i Korabit për të realizuar misionin “mbijetesë”. Drejtori sportiv, Femi Mziu, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ka zbuluar planin për dy fazat e mbetura.

gerd haxhiu mziu

“Skuadra është me pushime, por ne jo. Në bashkëpunim me stafin teknik, po punojmë në dy drejtime: merkato dhe punimet në stadium. Sot (dje) pikërisht kam takuar drejtuesit e FSHF-së lidhur me kushtet që duhet të plotësojë impianti për t’u licencuar. Pasi të njihemi me këto, do punohet në kohë rekord, që gjithçka të jetë gati për fazën e tretë.

Por, krahas rikonstruksionit të impiantit të Peshkopisë, po mendohet për merkato. Mangësitë që do të krijohen nga rrjedhjet do i plotësojmë me afrimet e reja. Klubi shumë shpejt do të ketë në dorë emrat e atyre që do të largohen dhe të atyre që do të afrohen. Momentalisht jemi vetëm në fazën e piketimeve dhe bisedimeve. Lista do të jenë në dorën e trajnerit, i cili ka kompetenca të plota në merkato.

Është ai i pari i punës, pra ai që do të parashtrojë kërkesat e tij për përforcimet. Pas këtij hapi, do të flasim me donatorët, për të marrë masat në termat financiarë, për të përmbyllur marrëveshjet. Donatorët na kanë dhënë garanci të plotë, pra ata do të mbështesin ekipin. Kushti i vetëm është ai që dihet, skuadra nuk duhet të bjerë nga kategoria.

Nëse misioni do të realizohet me sukses, gjithçka do të jetë OK. Në të kundërt, përgjegjësitë do të shkojnë te ne që po merremi me ndërtimin e skuadrës dhe stafin teknik. Këto janë dhe kërkesat e prera të financuesve të skuadrës. Gjithashtu donatorët kanë marrë përsipër që të kontribuojnë edhe në plotësimin e kushteve të stadiumit, që edhe tifozët të kenë të drejtën të ndjekin ekipin nga afër. Ka disa ditë që po merremi dhe me rrogat e lojtarëve. Por dua të saktësoj se këto vonesa janë thjesht proceduriale”, përfundoi drejtori sportiv.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"