Mungon kapiteni Shameti, efekt “domino” te formacioni i Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 10:58

Mungon kapiteni Shameti, efekt “domino” te formacioni i Kukësit

Diferenca me krye sueset e shton pre sionin te Kukësi për të mos pranuar tjetër rezultat veç fitores, mirëpo, si të mos mjaftonte që përballë është një skuadër me emër si Tirana, trajneri Cungu është përballur me lajme aspak të mira në stërvitjen e djeshme, referuar kapitenit Shameti. Mungesa e tij ka bërë që në ekip të ketë një efekt “domino”.

Shameti

PËRGATITJET – Trajneri Armando Cungu ka zhvilluar seancën përmbyllëse stërvitore para ndeshjes me Tiranën. Tekniku shkodran iu ka dhënë këshillat e fundit futbollistëve sa i përket aspektit tekniko-taktik. Cungu kërkon më shumë grintë dhe efikasitet para porte.

MUNGESA – Tekniku punoi dhe me formacionin, por është pikërisht mungesa e kapitenit Ylli Shameti që i prish të gjithë planin trajnerit, pasi mungesa e qendërmbrojtësit gjirokastrit nuk pritej. Shameti luajti i dëmtuar ndaj Flamurtarit, e një gjë të tillë ndaj Tiranës kanë qenë mjekët e ekipit që e kanë ndalur.

Kjo ka ndodhur sepse po të ishte për vetë lojtarin, ai ka dashur që të jetë me patjetër në fushë. Mjekët e ekipit, mbas ekzaminimeve të kapitenit, e kanë thënë qartazi që ai nuk duhet të luajë, pasi rrezikon ndjeshëm për shkak se Shameti vijon ta ketë gjurin të ënjtur.

kukesi flamurtari

EFEKTI “DOMINO” – Humbja me Flamurtarin, përveçse la pasoja ku disa lojtarë pësuan dëmtime të lehta, ajo vuri në dukje shumë problematika sa u përket titullarëve dhe pozicioneve të tyre. Presidenti Gjici, sapo përfundoi pjesa e parë në disavantazh 0-2, zbriti nga tribuna VIP në dhomat e zhveshjeve, ku “shkundi” ekipin. Kreu i klubit, mjaft i nervozuar  nga golat e pësuar, ka kritikuar ashpër ekipin e disa lojtarë në emra të përveçëm.

kukesi

Zguro dhe Vesel Limaj mbetën në “tunel”. Rokada e roleve ndodhi mes Krasniqit e Cuculit. Gazeta mëson se pikërisht të dy lojtarët që u zëvendësuan, Zguro e Limaj, ishin planifikuar të “dënoheshin” duke u ulur në stol ndaj Tiranës. Por, lënia jashtë e Shametit ndryshoi fatin për Zguron, i cili do e nisë nga fillimi ndeshjen, pasi Cuculi që ishte planifikuar të luante në të majtë, duhet në qendër. Pakënaqësi nga drejtuesit është shprehur dhe për pjesën tjetër të lojtarëve si Maliqi e Rexhinaldo.

TITULLARËT – Dhe pse Kukësi ka pasur probleme me dëmtimet, me ndihmën e stafit mjekësor disa prej lojtarëve ia kanë dalë të jenë gati për ndeshjen e sotme. Rasti i Shkodrës është ai më i freskëti. Stivi Frashëri do të mbrojë portën e nënkampionëve. Maliqi në krahun e djathtë të mbrojtjes, Qaqi e Cuculi në qendër, ndërsa në të majtë luan Vangjel Zguro.

Kukesi

Në mesfushë pritet të ketë ndryshime: Ethemi do të jetë në të djathtë, ndërsa vendin e Limajt që ulet në stol e zë Irakli Dzaria në qendër përkrah Shkodrës, ndërsa Melo në të majtë. Sulmi do përbëhet nga Shafik e Rexhinaldo, ku algjeriani me pasaportë franceze do mbështesë sulmuesin 28-vjeçar. Ndaj Tiranës drejtuesit presin shumë nga Rexhinaldo, por dhe nga pjesa tjetër e ekipit. Presidenti Gjici kërkon vetëm tri pikët, në të kundërt do të ketë gjoba.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"