Mungesa pa fund ndaj Flamurtarit, Novi “përmbys” mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 20:47

Mungesa pa fund ndaj Flamurtarit, Novi “përmbys” mbrojtjen

Luftëtari prej tri javësh i ka thënë lamtumirë Kategorisë Superiore edhe matematikisht, por kjo e shtunë i rezervon një ndeshje të veçantë ndaj Flamurtarit, pasi të dyja skuadrat ndajnë mes tyre vendin e fundit dhe të parafundit.

Futbollistet e Luftetarit

Gjirokastritët janë tri pikë më tepër, por në rast të një hapi fals edhe në Vlorë, do të jenë ata që do ta mbyllin tabelën e klasifikimit. Në këto katër ndeshjet e fundit bluzinjtë kanë marrë me vete një “thes me gola”, plot 20 të tillë të pësuar.

Megjithatë, trajneri Neritan Novi është munduar ta mbajë të karikuar grupin, në mënyrë që të paktën ndaj një kundërshtari si Flamurtari, që e ka poshtë vetes, të dalë me një rezultat pozitiv. Por, edhe në Vlorë skuadra do të jetë e përgjysmuar, sepse përveç Aurel Demos (të dëmtuar), Donald Açkës dhe Jurgen Dushkajt (të larguar), do të ketë edhe dy mungesa të sigurta, këtë herë për shkak kartonësh.

Qendërmbrojtësit Enes Isufi dhe Amer Duka u ndëshkuan me të verdhë në ndeshjen ndaj Teutës dhe të shtunën me Flamurtarin do të mungojnë. Kjo do të sjellë ndryshime të detyruara në formacion. Novi provoi si mbrojtës të majtë në sfidën e fundit lojtarin e ardhur nga akademia, Bastri Malaj, i cili bëri një performancë pozitive. Tashmë duket se qendra e mbrojtjes do të kompletohet me rikthimin e Lalës dhe Kukajt, të cilët u lanë në stol nga Novi kundër durrsakëve.

Për të mos përsëritur historitë e katër humbjeve të fundit, dyshja e trajnerëve Novi-Bistri, së bashku me drejtorin e akademisë Nalton Musta dhe përgatitësin e portierëve Aleksandër Qiqi, janë duke punuar me nga një seancë stërvitore në ditë.

Me tri grupe lojtarësh të ndarë në sektorë të ndryshëm të kompleksit “Fusha e Vjetër”, stafi teknik pas ushtrimeve atletike dhe aerobike të grupit me 28 lojtarë, praktikoi më pas edhe lojëra me top. Nga e hëna Luftëtarit iu bashkua edhe mesfushori Aristotel Bellai, nipi i ish-futbollistit Arian Bellai, që prej një viti është trajner te skuadra greke, Apollon Larisa.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"