Mungesa me peshë, por Novi pret të befasojë Tiranën me… “baby-Luftëtari”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2020 | 9:12

Mungesa me peshë, por Novi pret të befasojë Tiranën me… “baby-Luftëtari”

Luftëtari zhvilloi një lojë mjaft të mirë ndaj Kukësit, teksa humbi vetëm në frymën e fundit. Të njëjtën gjë kërkon sot nga skuadra trajneri Neritan Novi. Lojtarët e rinj dhe freskia e tyre fizike janë një armë plus për ekipin në këtë fundsezoni. Motivi i vetëm tashmë ka mbetur afirmimi i disa elementëve në Superiore dhe paraqitja sa më dinjitoze e skuadrës për të hedhur bazat e ekipit që do të konkurrojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.Luftetari 2 maska

“Këta lojtarë janë e ardhmja e Luftëtarit. Futbollistët aktualë janë të gjithë nën kontratë edhe për 2-3 sezone, kështu që pas asaj paraqitje të mirë që bënë djemtë ndaj Kukësit, duam që të njëjtën gjë të bëjmë me Tiranën. Luajmë ndaj skuadrës më të mirë për momentin, por jam i bindur se do të luftojmë për të marrë pikë”, është shprehur në konferencën e djeshme për shtyp trajneri i Luftëtarit. Ndërkohë, mungesa të sigurta për ndeshjen e sotme janë për shkaqe dëmtimi kapiteni Aurel Demo, si dhe mbrojtësit Enes Isufi dhe Redon Dragoshi.

Ky i fundit, një nga më të mirët në takimin me Kukësin, ka pësuar një dëmtim në fundin e atij takimi. Gjithashtu në seancën e djeshme pati një problem muskulor edhe mesfushori Klinti Qato, duke vënë në dyshim praninë e tij sot ndaj Tiranës. Ndërsa mesfushori Donald Açka, i rikthyer në stërvitje me grupin, me shumë mundësi do ta nisë edhe këtë takim nga stoli. Novi beson shumë te pjesa ofensive e skuadrës, ku Lika dhe J.Çela nga krahët kanë treguar se mund t’i hapin punë çdo kundërshtari. Sot në fushë lojtari me moshën më të madhe do të jetë Dushkaj, vetëm 24 vjeç. Ekipi gjirokastrit ka mesataren më të ulët të moshës në Superiore.kukesi luftetari

Formacioni i mundshëm:

Në portë: Shala;

Në mbrojtje: Ahmetaj, Lala, Duka, Dushkaj;

Në mesfushë: Hyseni, Puci (Qato), E.Çelaj;

Në sulm: Lika, Mehmetllari, J.Çela;

Skema: 4-3-3

Trajner: Neritan Novi

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"