Mungesa dhe Kieza e Di Maria të fashuar, Alegri: Do t’ia dalim ndaj Fraiburgut, kam besim te Vlahoviçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2023 | 11:30

Mungesa dhe Kieza e Di Maria të fashuar, Alegri: Do t’ia dalim ndaj Fraiburgut, kam besim te Vlahoviçi

Gjuetia ndaj Ligës së Europës dhe finales së Budapestit kalon nga Fraiburgu. alegri

Sot në orën 18:45 Juventusi e nis sfidën në Gjermani me avantazhin 1-0 të takimit të vajtjes, por ndërkohë ka një mori me probleme, emrat e të cilëve janë: Pogba, Bonuçi, Sandro e Milik, të cilët kanë mbetur në Torino, por edhe Kieza e Di Maria kanë udhëtuar të “fashuar” dhe nuk do të jenë në fushë nga minuta e parë.

Të paktën kjo është ajo që nënvizon trajneri Masimiliano Alegri, në konferencën për shtyp: “Dëmtimet janë pjesë e futbollit dhe realiteti ynë më i hidhur në këtë sezon, duke qenë se na kanë përndjekur që nga faza përgatitore. Gjithsesi, kjo alibi nuk shërben aspak, pasi kemi një ndeshje për të luajtur, e cila do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që bëmë në Torino. Jam i bindur se futbollistët e mi janë gati që të dhurojnë një tjetër ndeshje të bukur, në të cilën duhet të shënojmë me çdo kusht gol, pasi Fraiburgu në shtëpi transformohet totalisht dhe për ne do të jetë dy herë më e vështirë. Nëse duam që të kualifikohemi atëherë duhet të zbresim në fushë duke harruar që kemi fituar ndeshjen e parë 1-0, por mbi të gjitha, nëse mendojmë që të luajmë për 0-0 në Gjermani, atëherë mund t’i krijojmë vetes shumë probleme. A besojmë te finalja dhe trofeu? Unë dua të avancoj në Ligën e Europës, pasi pikësëpari do të bënim sezonin tonë të vështirë nga disa aspekte jashtë fushe, më dëfryes, më stimulues. Prandaj le të hedhim hapat një e nga një dhe të kapim çerekfinalet pikësëpari, më pas të mendojmë për të tjerat. Ne jemi një skuadër, e cila deri tani ka bërë 53 pikë në kampionat, ky është realiteti i fushës, por nuk dua të bëj më bilance të tjera, pasi do të ishte e kotë që të lodhnim kokën me të tilla gjëra, përpara një sfide të vështirë dhe një kompeticioni që është po aq i vështirë sa edhe Champions-i”.

FORMA E EKIPIT – Lidhur me formacionin e mundshëm që pritet të zbresë në fushë në Fraiburg, Alegri jep menjëherë dy lajme të këqija: “Kieza dhe Di Maria vështirë se do të mund të jenë në fushë nga minuta e parë. Vërtet i kemi rikuperuar dhe kanë kryer stërvitjen e mëngjesit, por nuk janë në formën maksimale. Testi i forcës ka shkuar shumë mirë, por pas shqetësimeve të shfaqën ndeshjen e parë dhe me aq shumë ndeshje që tjera që na presin në vazhdim nuk kemi luksin që të rrezikojmë më kot asnjë. Prandaj, Angel dhe Fede e nisin nga stoli”. Pa këta të dy, Juventusi duhet të kapet te Dushan Vlahoviç, i cili ka hyrë në një krizë goli, që zgjat prej një muaji, por sot do të provojë që të zhbllokohet, pasi Alegri ka shumë besim te serbi: “Dushan nuk është nervoz prej momentit që po kalon. Fizikisht është më mirë dhe të mos harrojmë se vinte nga një mungesë 3-mujore. Futbolli është i çuditshëm, sepse një sulmues tërheq më shumë vëmëndje kur nuk shënon, por unë kam besim te Dushan, kam besim se ai do të kthehet te goli shumë shpejt. Nesër (sot) do të shohim nëse do të ketë përkrah Kenin, apo do të vendosim për ndonjë mënyrë tjetër taktike. E rëndësishme është që të zbresim në fushë të përqendruar, të kemi qasjen e duhur dhe jam i bindur që kualifikimi do të jetë i yni”, përfundoi 55-vjeçari livornez i stolit bardhezi.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"