Mitrovica nën “ethet” e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2014 | 9:08

Mitrovica nën “ethet” e futbollit

Kosova me shtetaret e vetFishekzjarrë dhe tymosës të shumtë u lëshuan në ajër para fillimit të ndeshjes historike. Një pjesë e tymosësve kishte ngjyrat e flamurit të Kosovës, kaltër e verdhë, e një pjesë ishin kombinim i së kaltrës dhe së kuqes, ashtu si flamuri i Haitit. Fishekzjarrët dhe tymi u lëshua jashtë stadiumit, prapa tribunës lindore. Në mes të kësaj tribune qëndronin edhe katër shtizat për vendosjen e flamujve. Një prej tyre, e para nga e majta, të mërkurën ishte e lirë. Në shtizën e dytë nga e majta valonte flamuri i Haitit e në dy të tjera flamuj të FIFA-s. Mungonte flamuri i Kosovës. Por, këtij detaji pak prej shikuesve që ishin mbledhur të mërkurën pasdite në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë i kushtuan rëndësi. E numri i shikuesve nuk ishte i vogël. Ishin mbi 18 mijë shikues, aq sa edhe është kapaciteti i stadiumit të mbuluar së voni me karrige. Flamuri i Kosovës nuk u vendos në shtizë, pasi ky është njëri prej kushteve që FIFA ia ka vënë Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore. Leja për miqësore erdhi vetëm më 13 janar të këtij viti, ndërsa ndeshja me Haitin ishte e para pas këtij vendimi. Për këtë arsye takimi që përfundoi me rezultatin më të padëshiruar në futboll 0:0 u cilësua historik. Por, flamuri i Kosovës nuk mungoi në arenën më të madhe sportive në vend. Gati të gjithë shikuesit e kishin nga një flamur të vogël të vendit, ndërsa pati edhe qindra flamuj të mëdhenj në tribuna. Flamujt e Kosovës valuan edhe lart, madje më lart se dy flamujt e FIFAs dhe ai i shtetit të Haitit. Njëri ishte mbi oxhakun e gjatë të një objekti afarist në afërsi të stadiumit e tjetri mbi kulmin e një shtëpie të madhe, që po ashtu ishte pranë stadiumit. Këta flamuj vëreheshin shumë mirë nga tribuna perëndimore e stadiumit, që ishte e stërmbushur me shikues. Flamuri i Kosovës mbi oxhak ishte i dyti për nga lartësia. Më lart ishte vendosur flamuri kombëtar, më pas ai i Kosovës e nën të edhe një flamur i vogël i SHBA-ve. Mbi kulmin e shtëpisë, flamuri i Kosovës ka valuar më së larti. Përfund tij, vinin flamuri i SHBA-së dhe ai i Gjermanisë.
Në tribuna kanë dominuar ngjyrat kaltër e verdhë, por nuk kanë munguar as ngjyrat kuqezi, ngjyrat e flamurit kombëtar. Shikuesit e mbledhur nga shumë qytete të Kosovës, por të ardhur edhe nga vende të rajonit e madje edhe nga shtetet europiane, kanë shijuar ndeshjen dhe atmosferën e krijuar. “Këtë nuk e ndërroj me kushedi se çka. Nuk kam besuar se do të jetë këso atmosfere. Ka edhe tri orë deri në fillim të ndeshjes dhe unë mezi po i kontrolloj emocionet”, ka thënë Besart Isufi nga Gjilani. Ai pak pas orës 12 ishte rreshtuar te pengesa e parë e vënë nga policia dhe po priste hapjen e dyerve për t’u futur në stadium. Në fakt, festa për këtë ndeshje kishte nisur që të martën mbrëma nga grupi i tifozëve mitrovicas “Torcida”. E të mërkurën Mitrovica ka jetuar vetëm për këtë takim. Shkollat kanë punuar me orar të shkurtuar. Të parët në qendër të qytetit u mblodhën shitësit e biletave. Rreth orës 11:00 numri i tifozëve u bë më i madh. Së pari filloi kënga nga “Torcida” e më pas atyre iu bashkuan edhe tifozë të grupeve të tjera të organizuara nga qytete të ndryshme të vendit. Derisa në qendër të qytetit buzë lumit Ibër nuk kishte shumë shikues, në rrugët që çonin te stadiumi, kolona e njerëzve ishte e gjatë. Adhuruesit e futbollit nga Mitrovica e vendet e tjera nisën të grumbullohen afër stadiumit para orës 12:00. Dyert u hapën pas orës 12:00 dhe deri rreth orës 14:00 gati i tërë stadiumi ishte i mbushur. Ndeshja nisi me 5 minuta vonesë. Lojtarët dolën me kohë dhe ishin të shoqëruar nga fëmijë të klubit Trepça. Disa fëmijë të tjerë bartën dhe shpalosën dy flamuj. Nuk ishin flamuj shtetërorë. Ishin flamuj të FIFA-s, në njërin prej të cilëve bëhej thirrje për fair-play. Pasi u rreshtuan lojtarët, në fushë dolën edhe drejtuesit e vendit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, si edhe ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Memli Krasniqi. Të përcjellë nga kapitenët, presidentja, kryeministri e ministri përshëndetën të gjithë lojtarët. Dhe ndeshja historike më në fund nisi. Dhe kjo vetëm në tentimin e dytë, pasi arbitri i deleguar nga FIFA, ktheu topin në qendër pas nisjes së parë.
Shaqiri & CO – Tribuna më e zhurmshme ishte ajo e veriut. Në të ishin vendosur grupet e organizuara të tifozëve kosovarë që njihen me një emër të përbashkët “Dardanët”. Në atë pjesë janë vërejtur pano të tifo-grupeve: “Torcida”, “Shqiponjat”, “Shqiponjat e Zeza”, “Skifterat”, “Intelektualët”, “Ujqit”. Mbishkrimi “Dardanët” ishte në qendër të kësaj tribune. Në tribunën e lindjes është parë një pano në mbështetje të yllit kosovar të futbollit, Xherdan Shaqiri, që luan për Zvicrën. Në një tjetër në gjuhën angleze është shkruar “na duheni” dhe janë vendosur fotografitë e Besart Berishës, Adnan Januzajt, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Valon Behramit. Janë këta disa prej lojtarëve më të mirë kosovarë, por që ende nuk janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Në stadium kanë qenë të vendosura edhe shumë banderola të tjera, kryesisht në përkrahje të lojtarëve që ishin në fushë. Është parë edhe një pankartë e shpalosur më herët në shumë stadiume europiane ku u bëhet thirrje asociacioneve ndërkombëtare të futbollit për të pranuar Kosovën. Pa nisur loja, nga një pjesë e tifozëve është kënduar himni kombëtar. Himni i Kosovës nuk është vendosur nga organizatori, pasi edhe ky është një kusht i vënë nga FIFA, që kishte dy të deleguar në këtë ndeshje, përveç arbitrave.
Marrë nga “Koha Ditore”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"