Misioni “Vllaznia”, Partizani mund të ketë një “armë” më tepër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 18:20

Misioni “Vllaznia”, Partizani mund të ketë një “armë” më tepër

Partizani po hyn në fazën finale të përgatitjeve për ndeshjen e së dielës kundër Vllaznisë në “Air Albania” në orën 20:00, kur do të përcaktohen shumë nga fatet e vendit të dytë të sezonit të rregullt.

MEHMETI

Siç e kemi bërë me dije në ditët e kaluara, Partizani shkon në këtë ndeshje me dy mungesa të rëndësishme, Tedi Cara dhe Andi Hadroj. Kavajasi u ndëshkua me të kuq kundër Laçit, ndërsa pukjani pësoi një dëmtim muskulor në të njëjtën ndeshje dhe nuk ia ka dalë të rikuperohet për Vllazninë. Sakaq, ka shpresë për Mehmetin, që është drejt rikuperimit.

Sot mesfushori do të kryejë një tjetër skaner për të parë gjendjen e muskulit të këmbës së tij dhe në rast se gjithçka është në rregull, mund të jetë i pranishëm në stol, si një opsion për trajnerin Shehi. Në gjendjen më të mirë nuk ka rezultuar të jetë as Skuka, por dibrani do të shtrëngojë dhëmbët për të luajtur.

Në kushtet kur tre lojtarë të formacionit mungojnë, pritet që Shehi të punojë disa “modifikime” gjatë këtyre ditëve, për të mbuluar rolin e dy prej shtyllave të ekipit. E sigurt është se Cara dhe Hadroj do të duhet të zëvendësohen nga lojtarë jashtë rolit të tyre natyral. Në mbrojtje pritet të kthehet Murataj, teksa opsion është edhe Zekolli. Në sulm Skuka pritet të luajë si anësor.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"