Miqësorja ndaj Arabisë Saudite, zbulohet si do të formohet Kombëtarja shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2022 | 22:39

Miqësorja ndaj Arabisë Saudite, zbulohet si do të formohet Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare po përgatitet për të zhvilluar miqësoren e datës 26 tetor, ku në Abu Dabi do të përballet me Arabinë Saudite.

Shqiperia festa

Trajneri Edi Reja do të publikojë pasnesër listën e lojtarëve që do të grumbullohen këtë herë, ku përgatitjet do të fillojnë më datën 22.

Teksa FSHF-ja është kujdesur për të dërguar ftesat e futbollistëve, shumë emra janë bërë të ditur nga Superiorja.

SUPERIORJA – Për momentin ka shumë emra të përzgjedhur apo të vendosur në listë pritjeje, për të shmangur të papritura dëmtimesh apo në rastin kur ndonjë prej emrave që luajnë jashtë, arrin të shkëputen nga klubet, meqë data e kësaj ndeshjeje është jashtë kalendarit ndërkombëtar të FIFA-s.

Kështu që nga kampionati vendës do të angazhohen me Kombëtaren: Sherif Kallaku, Ardit Deliu, Redon Xhixha te Tirana, Eneo Bitri, Andi Hadroj, Arinaldo Rrapaj dhe Xhuliano Skuka nga Partizani.

Rudolf Turkaj është emri i pikasur nga Reja dhe stafi i tij te Laçi, ndërsa Erdenis Gurishta, Esin Hakaj dhe Esat Mala janë tre emra nga radhët e Vllaznisë që pritet të veshin fanellën kuqezi.

CIKALLESHI DHE VRIONI – Me mungesën e Manajt, i cili është i dëmtuar dhe po rikuperohet, edhe Broja me Uzunin dhe Seferin do të jenë të angazhuar me klubet e tyre, kështu që Sokol Cikalleshi dhe Xhakomo Vrioni mendohet që të jenë në dispozicion të Edi Rejës.

Kavajasi po luan në kampionatin arab, i cili tani ka marrë pushimet për t’u rikthyer në muajin dhjetor.

Kështu që Cikalleshi nuk do të jetë i angazhuar me Al-Khalej dhe si në ndeshjen e fundit, pritet të jetë kapiteni i Kombëtares.

Ndërkohë Vrioni, i cili luan në SHBA me Nju Inglandin nuk ishte pjesë e kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit, ndërsa tani është shansi për t’u rikthyer, kjo sepse kampionati amerikan ka përfunduar dhe ekipi i sulmuesit nuk arriti në fazën “play off” dhe tashmë Xhakomo është me pushime.

HAVERI, MEHMETI AND CO. – Kur bëhet fjala për të rinjtë që mund të afrohen në ekipin kombëtar për këtë miqësore, lojtarët janë të shumtë.

Ndër mend na vjen Anis Mehmeti, pjesë e ekipit Shpresa dhe po shkëlqen në “Liga One” në Angli duke shënuar 6 gola deri tani me Ykomben edhe pse roli i tij është në qendër të mesfushës. Kevin Haveri, i cili ishte pjesë e kuqezinjve në muajin qershor, mbrojtës i majtë që luan me Riminin dhe shihet si lojtar i së ardhmes në krahun e majtë të Shqipërisë.

Por gjithashtu shansi mund të jetë për Eljon Toçin që është pjesë e Primaverave të Fiorentinës dhe u stërvit pak ditë me Kombëtaren A kur Uzuni ishte në dyshim herën e fundit. Lista është e gjatë, ku Medon Berisha i Leçes është një tjetër emër, për të mos kaluar nga shqiptarët që luajnë në Europë:

Regi Lushkja, Julian Shehu, Ardit Krymi, Eduart Rroca, Arbër Hoxha dhe shumë të tjerë, por që duhet mirëkuptimi i klubit ku luajnë.

LOJ (1)

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"