“Mësuam nga gabimet në ‘Anfield’”, Ten Hag: Liverpulin e arkivuam, Bruno Fernandesh do të mbetet kapiten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 11:31

“Mësuam nga gabimet në ‘Anfield'”, Ten Hag: Liverpulin e arkivuam, Bruno Fernandesh do të mbetet kapiten

Erik ten Hag thotë se Bruno Fernandesh do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit të Mançester Junajtidit, pavarësisht lajmeve se shokët në dhomën e zhveshjes janë të pakënaqur nga sjellja e mesfushorit portugez.

Erik-ten-Hag-Man-Utd

Shanset e 28-vjeçarit për të marrë përfundimisht shiritin e kapitenit sezonin e ardhshëm kanë marrë një goditje të rëndë pas paraqitjes me Liverpulin. Fernandesh, që mban shiritin e kapitenit në fushë në mungesë të kapitenit të parë, Herri Meguajër, ka ngritur dyshime te shokët e skuadrës nëse është lojtari i denjë për të marrë mbi supe përgjegjësinë e liderit. Bruno u kritikua pasi në fund të ndeshjes në “Anfield” iu drejtua tunelit pa përshëndetur tifozët. Ndërsa në fushë pati edhe një incident me arbitrin anësor, duke pasur kontakt fizik me të. Ai simuloi edhe një kontakt në fytyrë me dorën e Konatesë, ndërsa u pa që mbrojtësi e preku në kraharor.

Legjenda Geri Nevil e quajti të turpshme sjelljen e tij. Por përpara ndeshjes së sotme të 1/8-ave të Ligës së Europës, kundër Real Betisit, tekniku holandez tha: “Po, padyshim që ai do të vazhdojë të jetë kapiteni ynë. Mendoj se ai po luan një sezon të shkëlqyer dhe ka luajtur një rol të madh duke na dërguar në nivelin që jemi. Të gjithë bëjnë gabime dhe mësojmë prej tyre. Unë duhet të mësoj dhe ai gjithashtu. Askush nuk është perfekt. Ai është inteligjent. Jam shumë i kënaqur që është lojtari ynë dhe ai është kapiteni kur nuk luan Herri”.

Ten Hag u pyet edhe për humbjen historike 7-0 në “Anfield” të dielën: “Duhet të nxjerrim mësime dhe folëm për të. E pamë ndeshjen, duhet ta harrojmë dhe rinisemi. Askush nuk më ka zhgënjyer. Nuk ndihem i tradhtuar. Jemi në të njëjtën varkë. Ne fitojmë dhe humbasim së bashku. Bëmë një rrëmujë të dielën dhe duhet ta korrigjojmë. Lojtarët reflektuan gjithashtu. Ne e dimë që gjatë një sezoni zhgënjimet do të ndodhin. Ky ishte një zhgënjim i madh, por ne kishim një seri prej 23 ndeshjesh me një humbje dhe kjo ishte e dyta. Kishte shumë leksione, të cilat mund të na ndihmojnë në të ardhmen”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"