Mesi nuk ka asnjë dyshim, argjentinasi përcakton pasuesin e tij: “Topin e Artë” do ta fitojë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 17:33

Mesi nuk ka asnjë dyshim, argjentinasi përcakton pasuesin e tij: “Topin e Artë” do ta fitojë…

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, Lionel Mesi, ka deklaruar se nuk ka as më të voglin dyshim se cili do të jetë pasuesi i tij në ceremoninë që do të zhvillohet më 17 tetor në Paris. Për argjentinasin, Karim Benzema do të shpallet lojtari më i mirë në botë, kjo falë sukseseve të shumta të arritura prej francezit në sezonin që lamë pas.

benzema mesi

Benzema ka përjetuar një sezon të mrekullueshëm me Realin e Madridit, ku mes të tjerave arriti të shpallej kampion në Spanjë, të fitonte Ligën e Kampioneve si dhe të shpallej golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe në Champions.

Karim Benzema mundi të shënonte 44 gola në 46 takime në sezonin e kaluar, duke u shtuar atyre edhe 15 pasime për gol. Pesë herë fituesi i Ligës së Kampioneve me Realin arriti të shënonte 15 gola në sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve, duke përfshirë këtu dy tripleta ndaj Paris SG-së së Leo Mesit dhe Çelsit.

Kjo ka bërë që të gjithë të përulen para 34- vjeçarit. Mes tyre edhe vetë Leo Mesi, i cili për herë të parë pas 16 vitesh nuk është në listën e 30 lojtarëve të përzgjedhur për të fituar këtë trofe prestigjioz.

Duke folur për “TyC Sports”, Leo Mesi ka komentuar garën për “Topin e Artë”.

“Unë mendoj se në këtë vit nuk ka asnjë mëdyshje se cili do të jetë fituesi. Është e qartë kristal se Benzema ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer, një sezon spektakolar. Ai e ka kurorëzuar sezonin me fitimin e Ligës së Kampioneve, kompeticion në të cilin ishte vendimtar në të gjithë edicionin nga grupet deri në finale. Nuk mendoj se do të ketë mëdyshje në këtë edicion të ‘Topit të Artë’”, ka thënë Lionel Mesi.

Një deklaratë e fortë kjo nga një ish-lojtar i Barcelonës për kapitenin e Realit të Madridit. Në intervistën e tij, Mesi ka folur edhe për karrierën e tij, duke shpresuar në një sezon të dytë më të mirë në Paris.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"