“Mesi e ka vuajtur Botërorin në heshtje”, Zaneti: Nuk desha të shikoja momentin e Martinez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2022 | 21:45

“Mesi e ka vuajtur Botërorin në heshtje”, Zaneti: Nuk desha të shikoja momentin e Martinez

Imazhi i Havier Zanetit duke përqafuar Lionel Mesin, fill pasi ky i fundit ishte shpallur kampion bote në “Lusail” ishte ndoshta një nga më të bukurit e finales, me protagonistë dy lojtarët e vetëm argjentinas që kanë luajtur mbi 1000 ndeshje në karrierën e tyre. Në një intervistë për “Tuc Sports”, ish-mbrojtësi i bardhekaltërve tregoi bisedën me “Pleshtin” dhe emocionet e tij në shkallët e stadiumit që ishin po aq të forta me ato të çdo argjentinasi, pa lënë pas edhe Lautaron.

mesi zaneti

EMOCIONET SI TIFOZ – “Unë e kam përjetuar aq fort sa çdo tifoz argjentinas, sidomos finalen”, e nisi rrëfimin Zaneti duke vazhduar: “Ishte një luftë shumë e fortë nervash, pasi deri në minutën e 70-të Argjentina ishte dominuese dhe pastaj ata barazuan me dy gola të shpejtë, në atë moment filloi një tjetër ndeshje. Te goli i tretë yni mendoja se do të përfundonte aty si në 1986-ën, por pastaj emocionet e penalltive ishin përsëri të vrullshme. Gjithsesi, një nga momentet kyçe për mua ishte ajo pritje e Martinezit ndaj Kolo Muanit. Kur e pashë francezin të vetëm përballë tij mbylla sytë, sepse nuk doja ta shihja dhe po mendoja sa e padrejtë do të ishte të humbnim ashtu”.

MESI – “Kur po shkoja në fushë pashë Leon dhe sapo e pashë e përqafova dhe e falënderova që bëri realitet ëndrrën e të gjithë argjentinasve. I thashë ta shijonte, pasi e dija shumë mirë sa e kishte vuajtur në heshtje faktin që nuk po arrinte ta ngrinte dot atë trofe. Kam pasur fatin të luaj me të në fillimet e tij dhe kemi kaluar shumë momente bashkë, të bukura dhe jo, e nëse ishte dikush që e meritonte të ishte kampion bote, ishte Mesi”.

dfgfdgdfgg

LAUTARO – “Sigurisht që takova edhe Lautaron, e urova dhe isha shumë i lumtur për të, pasi pavarësisht se është akuzuar për Botërorin, të gjithë harrojnë përgjegjësinë që mori në rastin e penalltisë ndaj Holandës që nuk ishte aspak e lehtë. Mbërriti me disa probleme fizike në Botëror, por është shumë i ri dhe cilësitë ia njohim të gjithë, kështu që tani e vetmja gjë që i duhet të bëjë është të shijojë këtë triumf dhe më pas të rikthehet të bëjë atë që di të bëjë më mirë me Interin”.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"