Mesfushori Tabaku: Lushnja kthehet te fitorja ndaj Luzit, momenti i kthesës së rezultateve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 17:24

Mesfushori Tabaku: Lushnja kthehet te fitorja ndaj Luzit, momenti i kthesës së rezultateve

Lushnjarët vijojnë të përgatiten për transfertën me Luzin. Një ndeshje shumë e rëndësishme për verdhejeshilët që vijnë pas dy humbjeve radhazi, me dy skuadrat kryesuese të kampionatit, Elbasani dhe Bylis.

tabaku lushnja

Lushnja do të kërkojë rikthimin te fitorja, për t’iu larguar grupimit të skuadrave të zonës “play-out”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori anësor Serxhio Tabaku deklaroi se është momenti që verdhejeshilët të reflektojnë. “Në çdo ndeshje ekipi përgatitet dhe zbret në fushë për fitore. Edhe për sfidën e radhës me Luzin ne luajmë për fitore.

Duhet ta nxjerrim me sukses këtë ndeshje sepse vijmë pas dy humbjeve radhazi. Është momenti për t’u rikthyer te fitorja”, deklaroi mesfushori Tabaku, i cili luan nga fillimi i sezonit në stadiumin “Roza Haxhiu”. 23-vjeçari erdhi në Lushnjë nga skuadra e Luzit, kështu që nesër është një ndeshje e veçantë për atë. “Luzi është një kundërshtar që e vlerësojmë. Luajnë me dëshirë dhe meritojnë respekt, por vetëm kaq.

Ne do të japim maksimumin e mundësive tona me synimin e qartë për ta fituar këtë takim”, deklaroi mesfushori i lushnjarëve Serxhio Tabaku. Te Lushnja do të mungojnë Endrien Magani i skualifikuar dhe Ylber Muça i dëmtuar. Për arsye shëndetësore, ekipit do t’i mungojë edhe sulmuesi Xhejms Ajinde, i cili para pak kohësh iu nënshtrua një operacioni që ka kaluar me sukses.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"