Mesfusha nuk tradhton, ja 7 “shtyllat” e formacionit të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 22:35

Mesfusha nuk tradhton, ja 7 “shtyllat” e formacionit të Partizanit

Formacioni startues i Partizanit të këtij sezoni ka pësuar një evoluim të vazhdueshëm, ku për shkak të ndryshimeve, por më së shumti prej dëmtimeve, emrat kanë ndryshuar ndeshje pas ndeshjeje.

PARTIZANI

Gjithsesi, në derbin ndaj Tiranës, Shehi do të ketë shtatë lojtarë, që nuk kanë lëvizur thuajse në asnjë moment nga formacioni dhe në vazhdimësi janë kthyer në “shtylla” të ekipit dhe elemente kyçe në lojën e skuadrës.

MBROJTJA – Natyrshëm, nëse numërojnë lojtarët me më shumë minuta, portierët nuk mund të mungojnë në listë dhe as në këtë rast Pano Qirko nuk bën përjashtim, megjithëse në disa ndeshje është zëvendësuar nga Hoxha për arsye dëmtimi. Në katërshen përpara portierit janë dy lojtarë stabël, që kanë munguar me pikatore. Bëhet fjalë për Atanaskoskin dhe Sotën. Maqedonasi është lojtari me më shumë minuta deri në pikë të sezonit.

MESFUSHA – Ky repart ka pasur stabilitetin më të madh sa i përket emrave që kanë zbritur në fushën e lojës. Arinaldo Rrapaj ka luajtur në plot 32 ndeshje, duke ndjekur Atanaskoskin për sasinë e minutave të luajtura. Dy të tjerët janë Murataj dhe Maget, lojtarë që gjithashtu nuk kanë lëvizur nga 11-shja, megjithëse janë ndërruar tre trajnerë. Me pak fjalë, mesfusha nuk ka “tradhtuar”.

lojtaret me te aktivizuar

SULMI – Në këtë repart ka qenë e pamundur të fiksohet një “trident” statik, që të ambientohen me njëri-tjetrin dhe të luajnë vazhdimisht bashkë. I vetmi që nuk ka munguar thuajse në asnjë ndeshje është Tedi Cara. Kavajasi ka zbarkuar në fushë në plot 32 beteja, duke përfshirë të gjitha kompeticionet.

Pjesa tjetër e sulmit ka ndryshuar herë pas here. Fillimisht luante Bintsuka e më pas Mensah, teksa aktualisht po aktivizohet më së shumti Skuka. Në anën tjetër të sulmit më së shumti ka luajtur Taipi, i kombinuar me Kekon apo Mbanë.

DENIS LALA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"