Më në fund Vidal në Milano, Konte tani ka “luftëtarin”. Mësoni të gjitha detajet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 10:04

Më në fund Vidal në Milano, Konte tani ka “luftëtarin”. Mësoni të gjitha detajet

Në traktatin e “gjeneralit” Antonio Konte spikat një frazë: “Me Arturon në fushë, shkoj në luftë çdo ditë dhe ndaj kujtdo”. Kur e tha, trajneri interist kishte një tjetër angazhim, por mbrëmjen e djeshme ishte më i lumturi kur pritja e tij morri fund. Diçka pas orës 20:10, avioni privat me në bord “luftëtarin” Arturo Vidal zbarkoi në Milano, ndërsa në orën 20:30, u shfaq përpara kamerave, në distancë sigurie, por gjithsesi nuk nguroi që të shprehë lumturinë e tij për këtë lëvizje: “Përshëndetje Milano, përshëndetje Inter! Ja ku jam!”, ishin fjalë e para si interist për të mesfushorit kilian, i cili ditën e sotme do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të hedhë firmën e tij në kontratën që do ta bashkojë me “gjeneralin” Konte, pas epokës juventine.

img_fpolo_20200920-192738_imagenes_md_otras_fuentes_arturo_vidal_aeropuerto-0059-koIH-U483584490247uII-980x554@MundoDeportivo-Web

Dhe pa dyshim që me Vidalin, mesfusha zikaltër merr formën e duhur, atë më të frikshme ndoshta, për të trembur “Zonjën e Vjetër” dhe mbi të gjitha ka “artilerinë” e duhur për të synuar titullin kampion.

E KRYER – Askush nuk kishte dyshime: të shtunën Vidal nuk u grumbullua për trofeun “Joan Gamper”. Qëndroi duke djersitur në palestër, duke dokumentuar gjithçka në rrjetet sociale. Dukej thuajse se i siguronte fansat e tij të ardhshëm interistë: “Qëndroni të qetë, jam në formë dhe po vij”. Ndërkohë, administratori i deleguar Xhuzepe Marota ka punuar detajet e fundit të nevojshme për transferimin e ri, duke nisur nga zgjidhja e kontratës me Godinin që do t’i lejojë të ndajë dy vitet e mbetura në kontratë në një marrëveshje trevjeçare në Sardenjë. Uruguaiani është në fakt mbrojtësi i ri i prapavijës së Kaljarit dhe kjo i lejon Interit të kursejë një rrogë prej 5,5 milionë eurosh. Më ngadalë, por po përgatitet edhe dalja e Antonio Kandrevës. Pasi sfumoi pista “Xhenoa”, mund t’i drejtohet në kohë të shkurtra Sampdorias ose Fiorentinës.

de-vrij-vidal-barca

Pas një nate milaneze, për Vidalin sot do të jetë dita e vizitave, e firmës dhe e hyrjes solemne në grup. Ndër të tjera, akordi me Interin ishte arritur prej kohësh. Më pas u gjet fjala e përbashkët edhe me Barçën. Zikaltrit nuk do të paguajnë automatikisht kuotën prej një milion eurosh për lirimin e mesfushorit, por shuma do të lidhet me arritjen e një sërë objektivash duke u llogaritur si bonus. Ndërsa kiliani do të firmosë një kontratë prej dy vitesh me opsion për një të tretë nga e cila do të përfitojë 6 milionë euro neto në sezon. Nga 2011-ta në 2014- ën, me Konten në stol te Juventusi, Vidal ishte mesfushori i Serisë A që kishte shënuar më shumë gola në të gjitha kompeticionet, plot 40. I vetëm krijoi 207 raste për të shënuar, përpara i qëndronte vetëm Andrea Pirlo. Vidal zbarkoi dje pikërisht për me objektivin për të zbritur skuadrën e mikut të vjetër nga froni…

LEDIO NASE-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"