“Më cinikë në Vlorë”, flet Dede: Elbasani luan për fitore, jam optimist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2023 | 11:30

“Më cinikë në Vlorë”, flet Dede: Elbasani luan për fitore, jam optimist

Elbasani luan sot një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Udhëtojnë në Vlorë, atje ku i pret Flamurtari. E dinë se çfarë duan nga kjo transfertë dhe i kanë marrë që të gjitha masat për të fituar pikët e plota. Fitorja nuk do t’u ndihmonte vetëm në renditje, por edhe në aspektin moral. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes, këtë e thekson edhe Nevil Dede. Trajneri i kënaqet rikthimit të disa lojtarëve, por këtë 90-minutësh nuk e quan përcaktues. Tekniku tregon edhe merakun që ka për finalizimin, duke shpresuar që të korrigjohet nesër.

Dede

Si është gjendja e skuadrës para sfidës me Flamurtarin?

Besoj që po rikuperojmë edhe disa lojtarë që kanë pasur disa probleme shëndetësore. Kjo është e rëndësishme, grupi po bëhet i plotë. Rikthimi i Ajazit, Leos, Telushit, i jep optimizëm, sidomos grupit, por edhe klubit.

Kënaqet Elbasani edhe me një barazim apo luani vetëm për të fituar?

Ne synojmë gjithnjë të japim më të mirën tonë në fushë. Ka pasur ndeshje apo situata që nuk i kemi bërë gjërat mirë, por në fund fare besoj se në futboll rezultati dhe pragmatizmi janë evidentë. Mundohemi të japim më të mirën edhe në bazë të performancës që bëjmë, pretendojmë të fitojmë edhe ndeshjen.

A mund të ketë ndonjë ndikim për vazhdimësinë, më së shumti nga ana morale, rezultati i kësaj ndeshjeje, apo nuk ka asnjë rëndësi përpos tri pikëve?

Unë besoj që rruga e kampionatit është e gjatë dhe janë shumë javë për t’u luajtur. Mendoj se është shumë shpejt për të thënë që ndikon. Sigurisht që ka ndeshje kyçe në sezon, që mund të jetë në javë të parë apo të fundit. E rëndësishme është që ne të jemi të shëndetshëm dhe grupi të jetë i plotë. Entuziazmi është, futbollistët ndihen mirë dhe kanë një harmoni të admirueshme brenda grupit të tyre.

Për asnjë moment nuk e keni pasur ekipin të plotë, sa ju ka penalizuar kjo gjë?

Në fillim u mërzitëm pak. Në bazë të rregulloreve na lejohej të federonim vetëm 21 lojtarë. Por edhe me aq, kualiteti i futbollistëve që përbëjnë këtë skuadër, besoj se ia kanë dalë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë edhe në vazhdimësi. Justifikime mund të gjesh pa fund, por është si historia e gotës gjysmë të mbushur dhe gjysmë të zbrazur. Varet se çfarë do të shohësh. Unë asnjëherë, kudo ku kam qenë, nuk jam marrë me këtë gjë. Mërzitem shumë kur mungon një lojtar, sepse i dua të gjithë të gatshëm të kontribuojnë dhe të jenë krenarë për rendimentin që japin për skuadrën, veten dhe klubin. Por, në fund fare do t’i japim zgjidhje. Kjo është detyra dhe profesioni që unë kam.

Teksa u hidhni një sy këtyre shtatë javëve, cili ka qenë meraku më i madh që keni pasur?

Ndoshta kemi gabuar në disa situata që i kemi pasur nën kontroll, ose mund t’i zgjidhnim më mirë. E dyta, duhet të ishim më konkretë me aq shumë volum loje, raste apo topa që dërgojmë në zonat apo portat kundërshtare.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"