Mbledhje te Skënderbeu, trajneri Gvozdenoviç kërkon përqendrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 10:45

Mbledhje te Skënderbeu, trajneri Gvozdenoviç kërkon përqendrim

Në Korçë mendojnë për objektivin maksimal, që është katërshja e parë e renditjes. Ky objektiv nuk ishte primar deri pak javë më parë, por duke parë ecurinë e bardhekuqve, të gjithë kanë filluar të shpresojnë. Për këtë situatë në kampin bardhekuq kanë filluar të bëjnë llogaritë, por të gjithë e kanë të qartë se përpara janë sfida shumë të rëndësishme.

gvozdenovic

Kjo është ajo që trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, ka kërkuar nga grupi i lojtarëve. Me një ekip të plotë pas shumë ditësh, trajneri ka bërë një analizë, ku ka shpjeguar situatën. Burime të gazetës bëjnë me dije se në këtë mbledhje analizë është folur për impenjim maksimal në ndeshjet e mbetura, duke i konsideruar 8 finale.

“Kemi mbërritur në fazën e fundit të kampionatit dhe jemi në pozita të mira. E kemi nisur me fitore këtë fazë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mund të them se kemi treguar që vlerat tona shkojnë përtej pritshmërive, ndaj e shoh të udhës që të vijojmë me të njëjtin përkushtim. Është një fund i kampionatit shumë i rëndësishëm, gjithçka mbetet e hapur. Përqendrimi duhet të jetë maksimal te ndeshja e radhës, por natyrisht jemi në kushtet kur duhet të bëjmë edhe llogari të tjera.

Veç përqendrimit dhe angazhimit maksimal të çdo individi, kërkoj edhe menaxhim të mirë të situatës nga ana fizike, si dhe kujdes për të shmangur ndëshkimet e panevojshme. Na nevojiten të gjitha forcat si grup. Kemi treguar se jemi të fortë, le ta mbyllim si të tillë këtë sezon”, tha mes të tjerash trajneri i Skënderbeut përpara lojtarëve. Skuadra vazhdon përgatitjet për ndeshjen kundër Dinamos, të cilën në Korçë e kërkojnë të fituar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"