Mbledhje që pa gdhirë te Kukësi, lojtarët në monitorim për daljet dhe dietat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 13:53

Mbledhje që pa gdhirë te Kukësi, lojtarët në monitorim për daljet dhe dietat

Humbja me Vllazninë e ka shqetësuar jo pak klubin. Nëse ndaj Teutës “digjte” penalltia e dhënë, ndaj shkodranëve nuk ka vend për justifikime. Kukësi ka probleme dhe sidomos sektori i mbrojtjes, që “fut ujë”. Por pakënaqësi ka edhe për sulmin. Shumë raste të shpërdoruara dhe egoizmi i panevojshëm konsiderohen në dëm të objektivave.

kukesi

Nisur nga e gjithë kjo situatë, drejtuesit kanë vendosur që të bëjnë një analizë të hollësishme. Ajo do të jetë e ndarë dy plane, në atë sportiv dhe moral. Shpëtim Duro dhe stafi i tij do të ndalen hollësisht te gabimet taktike, ndërsa drejtori Nderim Nexhipi, i cili është i deleguari nga presidenti Safet Gjici, do të merret me mbarëvajtjen e ekipit dhe përgjegjësitë e gjithsecilit.

Kukësi ka si objektiv titullin kampion e nëse në çdo ndeshje nuk do të merren pikët maksimale, atëherë rrezikohet ndjeshëm edhe vetë fati i kampionatit. Mbledhja është organizuar për sot, që në orën 09:00, në kompleksin “Football Republic”. Ajo do të zhvillohet me monitor, çka do të ndihmojë për të pasqyruar më saktë edhe gabimet. Vetë presidenti, ndoshta për të shmangur presionin, ka menduar që të qëndrojë në heshtje dhe nuk do të jetë i pranishëm. Edhe pse vendosi atë “ultimatum” për 9 pikë radhazi, ka bërë këtë zgjedhje. Ai pret fitoren në Korçë dhe ngjitjen në renditje, pasi kreu është vetëm dy pikë larg Kukësit.

kukesi stervitje

RISHIKIMI I RREGULLAVE

Kukësi ka pasur shumë luhatje në këtë fillimsezon. Kanë bërë mirë ndaj pretendentëve, por çuditërisht çedojnë ndaj ekipeve që në letër quhen të lehta. Dhe kjo është ajo që po shqetëson ndjeshëm veriorët.

Nga 21 pikë të mundshme, kanë marrë vetëm 10. Shumë pikë të lëna rrugës i kanë detyruar drejtuesit që të gjejnë formën për ta kapërcyer këtë situatë. Kriza e rezultateve quhet e pakuptueshme dhe sidomos kur kanë në ekip lojtarë kalibri, si Abazaj, Gavazaj, Musolli, Rroca e Shkurtaj, pritshmërirë ndajnë të cilëve janë realisht të mëdha. Shpëtim Duro dhe drejtuesit po studiojnë se si mund të ndërhyjnë që ta menaxhojnë më mirë grupin. Dhe masa e parë që është marrë, është heshtja për shtyp. Askush nuk do të flasë deri në një vendim të dytë.

Dhe kjo shihet si një formë për t’i mbajtur larg trysninë. Por nuk do të lihet me kaq, pasi do të ketë direktiva për të respektuar normat dhe rregullat që kërkon jeta e një sportisti. Do të monitorohen me shumë kujdes daljet apo dieta e tyre. Pra, do të vendosen rregulla strikte për të mos abuzuar me oraret apo edhe me ushqimin.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"